ANËS SË LUMEJVE TË FAN S. NOLIT – PËR KATËR LIBERATORËT E KOSOVËS

Nga Gjekë Gjonlekaj / New York

Këto ditë, ndërsa bota shqiptare po përgatitet për Festën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe festat e Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vëllezërit tanë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës po dergjen në burgun famëkeq të Hagës. Në Amerikë tashmë kanë nisur festimet e fundnëntorit, ku marrin pjesë qindra shqiptaro-amerikanë, duke kënduar e hedhur valle, sikur në botën shqiptare të mos kishte ndodhur asgjë. Ndërkohë, liberatorët e Kosovës do ta kujtojnë këtë ditë të shenjtë në qelitë e asaj kështjelle famëkeqe.

Vargje të Fan S. Nolit që sot tingëllojnë si kushtrim për ta:

Arratisur, syrgjunosur

rraskapitur dhe katosur

po vajtonj pa funt, pa shpresë

anës elbës, anës spre-së,

ku e lam’ e ku na mbeti,

vaj vatan e mjer mleti,

anës detit i palarë,

anës dritës i paparë,

pranë sofrës i pangrënë,

pranë dijes i panxënë,

lakuriq e dregosur,

trup e shpirt i sakatosur,

se ç’e shtypnë derbederët,

mercenarët dhe bejlerët,

se e shtypnë jabanxhinjtë,

se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,

se ç’e prenë, se ç’e vranë,

ç’e shkretuan anembanë

nën thundrën e përdhunës

anës Vjosës, anës Bunës.

Çirem, digjem i vrerosur,

sakatosur, çarmatosur,

as i gjallë, as i varrosur,

pres një shenj’, pres një dritë;

se u tera, se u mpaka,

se u çora, se u mplaka,

larg prej vatrës dhe prej punës

anës së Rinit, anës Tunës.

Cakërdisur, batërdisur,

përpelitur dhe zalisur,

ëndëronj pa fund e shpresë

anës Elbës, anës Spre-së.

Dhe një zë vengon nga lumi,

më buçet, më zgjon nga gjumi:

se mlieti po gatitet,

se tirani lebetitet,

se pëlcet, kërcet furtuna,

dridhet Vjosa, derdhet Buna,

skuqet Shkumbi dhe Drini,

dridhet beu e zengjini;

se pas vdekjes ndriti jeta,

dhe kudo gjëmon trumbeta.

Ngrehuni dhe bjeruni,

korini dhe shtypini,

katundarë e punëtorë,

që nga Shkodra gjer në Vlorë.

Ky ilaç e ky kushtrim

më bën djalë e më bën trim;

më jep forcë e më jep shpresë

anës Elbës, anës Spre-së.

Se pas dimrit vjen një verë,

që do të kthehemi një herë

pranë vatrës, pranë punës

anës Vjosës, anës Bunës.

Arratisur, syrgjunosur,

rraskapitur e katosur,

brohoras me besë e shpresë

anës Elbës, anës Spre-së.

Vargjet e fundit të kësaj poeme duken si një lajm i mirë për lirimin e katërshës legjendare të Kosovës.

Besojmë dhe shpresojmë që Ditën e Pavarësisë së Kosovës ta kremtoni në atdheun tuaj të dashur, për të cilin sot jeni të burgosur dhe syrgjynosur. Dita e lirimit tuaj do të jetë një datë historike.

Pas dëshmive të diplomatëve dhe ushtarakëve amerikanë, jemi optimistë se e vërteta e Zotit ka për të triumfuar.

Qofshi të bekuar, o trima të Kosovës dhe të gjithë kombit shqiptar.