Një këngë e bukur dhe e veçantë për dalzotësit e Plavës. E kisha dëgjuar për herë të parë dhe të fundit në Vuthaj në vitin 1989, tridhjetë e shtatë vjet më parë. Në Radio Tiranë, te Emisioni për bashkatdhetarët, kush e mban mend. Maturantë në shkollën e Plavës sapo kishim filluar të flasim lirshëm për të kaluarën, për Oso Kukën, për Luftën e Nokshiqit. Nuk kishte shumë njerëz që dinin të na tregonin shumë, se gojët ishin kyçur për gati 100 vjet. Profesori i ndjerë Riza Prelvukaj i pari na foli haptas. Unë i shkrova një letër Radio Tiranës, si nxënës shkolle. Letra kishte arritur te gazetari tropojan Jaho Margjekaj, i cili kishte kontaktuar menjëherë me intelektualin vuthjan Sylë Buti (Ahmetaj) në Tiranë dhe ai i kishte dhënë një material për luftën për mbrojtën e Plavës dhe Gucisë, që Radio Tirana e transmetoi në tri pjesë. Kronika shoqërohej pikërisht nga kjo këngë.
Ajo që dukej e pamundur në vitin 1989, shtatë vjet më vonë në Tiranë, pinim kafe me gazetarin Jaho Margjekaj, bashkë me mikun tonë të përbashkët Ilir Seci, edhe ai gazetar dhe kujtuam kohët e izolimit komunist dhe kufirit.
Kaseta ku e kisha incizuar emisionin dhe këngën ka kohë që ka humbur, kurse këngën më kurrë s’e kisha dëgjuar të këndohet a transmetohet diku deri sot, edhe pse e kam kërkuar. Kur e dëgjova të interpretuar në Top Channel ditë më parë nga grupi i shkëlqyeshëm Lezhës, mendova ta ndaj me gjithë ata që mund ta përdorin si sfond për videot e tyre, dokumentarët apo thjesht nga kujtimet që kanë nga Plava e Gucia.
Enver Ulaj