NJË JETË NË SHËRBIM TË ATDHEUT – Zymer Brahimi Prelvukaj (1917-1997)

12 prill 2018

Zymer Brahimi Prelvukaj lindi në fshatin Martinaj në vitin 1917, si i vetmi djalë i Brahim Kameri Prelvukajt. Ai vinte nga vëllazëria Ahmataj e Prelvukajve të Martinajt, një familje me rrënjë të thella atdhetarie në trevën e Plavë-Gucisë.

Në periudhën e Jugosllavisë Mbretërore, para Luftës së Dytë Botërore, Zymeri u martua me Nurien nga familja Novaj e fshatit Arzahanicë, me të cilën krijoi një familje të madhe dhe të shëndoshë: shtatë fëmijë – pesë djem dhe dy vajza.

Që në moshë të re, Zymer Brahimi Prelvukaj u shqua për ndjenja të thella atdhetare dhe përkushtim ndaj çështjes kombëtare shqiptare. I gjendur përballë rrethanave historike të kohës, ai iu bashkua Luftës Nacionalçlirimtare (LNÇ) si pjesëtar i Brigadës së 9-të Sulmuese, në Divizionin e 3-të të Malit të Zi.

Gjatë luftimeve në Bosnje dhe Hercegovinë, Zymeri u plagos rëndë dhe u dërgua për trajtim mjekësor në spitalin e Herceg Novit, në Mal të Zi. Pikërisht aty, gjatë qëndrimit në spital, ai u njoh me shqiptarë të Kosovës të plagosur rëndë – të mbijetuar të Masakrës së Tivarit. Dëshmitë e tyre tronditëse për krimet gjenocidiale të ushtruara nga forcat serbo-malazeze ndaj shqiptarëve, vetëm pse ishin shqiptarë, lanë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen e tij.

Kjo masakër e forcoi edhe më shumë bindjen e Zymerit se liria dhe dinjiteti kombëtar nuk dhurohen, por fitohen me sakrificë.

Në vitin 1952, Zymer Brahimi Prelvukaj u arrestua nga UDB-ja dhe u dënua me gjashtë vite burg, për shkak të veprimtarisë së tij në shërbim të çështjes shqiptare dhe interesave kombëtare. Ai akuzohej, ndër të tjera, për strehimin e kushërinjve të tij – punëtorë të inteligjencës së shtetit shqiptar. Zymeri nuk u thye, por e përballoi dënimin me dinjitet, duke u sakrifikuar për besën, traditën dhe vlerat e trashëguara familjare.

Dënimin e vuajti në burgun famëkeq të Kotorrit dhe në punishten e Shën Stefanit në Budva. U lirua në vitin 1956, pas një amnistie kolektive të shpallur nga pushteti jugosllav.

Menjëherë pas lirimit, Zymeri rivendosi kontaktet me bashkëfshatarin dhe atdhetarin e njohur Rexhep Gali Balidemaj. Ai e informoi hapur Rexhepin se UDB-ja i kishte kërkuar të qëndronte afër tij dhe të siguronte informata, por Zymeri mbeti i palëkundur dhe besnik ndaj parimeve të tij, duke mos u vënë kurrë në shërbim të pushtetit represiv.

Edhe pse përfitonte një pension simbolik si i plagosur lufte, ai asnjëherë nuk iu nënshtrua organeve të UDB-së – as në burg, as në liri. I vetëdijshëm për rrezikun e vazhdueshëm të riburgosjes, ai vendosi të marrë rrugën e mërgimit dhe u arratis drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në SHBA, Zymer Brahimi Prelvukaj nuk e ndërpreu kurrë veprimtarinë e tij atdhetare. Përkundrazi, ai u shndërrua në një aktivist të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ishte pjesëmarrës i rregullt në demonstrata dhe organizime kundër regjimit jugosllav dhe agjenturave të tij, ndërsa shquhej për humanizëm dhe solidaritet në çdo aksion në ndihmë të vendlindjes dhe rasteve në nevojë.

Njohës i mirë i historisë, adhurues i librit dhe edukator i heshtur i brezit të ri, Zymeri ishte frymëzim për rininë shqiptare në mërgim. Qëndrimet e tij të hapura dhe të guximshme kundër Jugosllavisë e bënin atë “halë në sy” për UDB-në edhe jashtë atdheut. Ai besonte fuqishëm se Jugosllavia, si “i sëmuri i Ballkanit”, ishte e destinuar të shembej.

Gjatë viteve ’90, Zymeri ishte kontribuues i rregullt i fondit 3% të Qeverisë së Kosovës në ekzil, duke thënë shpesh: “Duke dhuruar për Kosovën sot, ne investojmë në të ardhmen e rinisë dhe të kombit shqiptar.”

Zymer Brahimi Prelvukaj ndërroi jetë më 18 prill 1997, në New York, në moshën 80-vjeçare. Ai nuk arriti ta shihte Kosovën shtet të pavarur, por amaneti i tij jeton dhe qëndron i fortë sot, falë punës dhe sakrificës së atdhetarëve të rrallë e të mirëfilltë si ai.


Shkruar nga: Esad Gjonbalaj

P.S.
Të dhënat dhe informacionet e përfshira në këtë shkrim janë marrë nga dëshmitë e Rexhep Gali Balidemajt dhe nga kontaktet personale të autorit me Zymer Brahimi Prelvukajn gjatë veprimtarisë së tij në SHBA.