The Washington Post (1926) / Kur Faik Konica justifikonte traktatin italo-shqiptar në SHBA

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Nëntor 2022

The Washington Post” ka botuar, të enjten e 16 dhjetorit 1926, në faqen n°12, një shkrim mbi justifikimin e Faik Konicës asokohe në lidhje me traktatin italo-shqiptar, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria mohon që traktati të ketë për qëllim ndonjë shtet

Legata thotë se pakti me Italinë nuk përmban asnjë klauzolë apo aneks sekret.

Të arkivohet (ruhet) në Lidhje

Burimi : The Washington Post, e enjte, 16 dhjetor 1926, f.12
Burimi : The Washington Post, e enjte, 16 dhjetor 1926, f.12

(Nga Associated Press)

Duke deklaruar se “komentet shqetësuese të një shtypi të huaj” bazoheshin në “thjesht hamendje”, qeveria shqiptare tha dje përmes legatës së saj këtu se traktati italo-shqiptar i nënshkruar së fundmi ishte një “traktat paqeje dhe nuk drejtohet kundër asnjë shteti”.

Deklarata e Shqipërisë që prej nënshkrimit të paktit është bërë publike nga ministri shqiptar Faik Konica.

Marrëveshja e miqësisë e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë, nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet ndryshe veçse si një akt diplomatik, që sjell një konfirmim të ri për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Shqipërisë.

Larg favorizimit të çfarëdo ndërhyrjeje nga ana e Italisë në punët e jashtme dhe të brendshme të Shqipërisë, larg zëvendësimit të fuqisë së madhe fqinje me rolin e garantuesit ndërkombëtar që institucioni i lartë i Gjenevës u siguron të gjithë anëtarëve të tij — traktati shqiptaro-italian, i cili është edhe një traktat arbitrazhi, frymëzohet vetëm nga parimet e besëlidhjes së Lidhjes së Kombeve, e cila do të jetë ruajtësja e këtij traktati dhe në këtë mënyrë autoriteti i Lidhjes rritet në fushën ndërkombëtare.

Ky pakt nuk përmban asnjë klauzolë apo aneks sekret, gjë që do të ishte në kundërshtim flagrant me parimet mbi të cilat bazohet.