Një arritje e rëndësishme që lidhet edhe me emrin e një profesionisti me origjinë shqiptare po shënohet në një nga projektet më të mëdha të njerëzimit — rikthimin e njeriut në Hënë.
Kompania DEWETRON, Inc., me seli në East Greenwich, po jep një kontribut të rëndësishëm në misionin historik Artemis II, që udhëhiqet nga NASA dhe që përfaqëson misionin e parë me ekuipazh në rikthimin e njerëzimit drejt Hënës pas dekadash.
Në krye të operacioneve të kësaj kompanie është Presidenti dhe Drejtori i Operacioneve, Albon Redzepi, emër që ngjall krenari për shqiptarët, pasi përfshirja e tij në këtë projekt madhor dëshmon rolin e profesionistëve shqiptarë në zhvillimet më të avancuara teknologjike në botë.
Teknologjia e zhvilluar nga DEWETRON përdoret për testimin dhe verifikimin e sistemeve kritike të misionit, duke siguruar saktësi, besueshmëri dhe performancë të lartë në një nga ndërmarrjet më të avancuara hapësinore të kohës sonë. Sistemet e kompanisë mundësojnë mbledhjen e të dhënave shumë të sakta dhe të sinkronizuara, një element thelbësor për sigurinë dhe suksesin e misioneve hapësinore.
“Pjesëmarrja në Artemis II është një arritje e jashtëzakonshme për ekipin tonë,” deklaroi Albon Redzepi. “Kjo tregon rolin e madh që teknologjia e matjeve me performancë të lartë ka në avancimin e eksplorimit hapësinor dhe përforcon përkushtimin tonë për të ofruar rezultate të sakta edhe në projektet më sfiduese.”
Misioni Artemis II konsiderohet një hap vendimtar në planin afatgjatë të NASA-s për eksplorimin e hapësirës së thellë, duke përfshirë misione të ardhshme drejt Hënës dhe planetit Mars. Kontributi i kompanive inovative si DEWETRON është jetik për suksesin e këtyre misioneve, pasi garanton testime të rrepta dhe siguri maksimale.
Përfshirja e kompanisë DEWETRON në këtë projekt historik dëshmon gjithashtu rolin në rritje të shtetit Rhode Island në fushën e teknologjisë së avancuar dhe industrisë hapësinore, duke sjellë ndikim global nga një prani lokale.
Ky sukses përbën një moment krenarie për komunitetin shqiptar, pasi dëshmon se shqiptarët po kontribuojnë drejtpërdrejt në projekte që formësojnë të ardhmen e njerëzimit dhe eksplorimin e hapësirës.