Abazoviq për mazhorancën aktuale: Ose të funksionojmë ose lamtumirë

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, u ka bërë apel deputetëve që sa më shpejt të zgjedhin përbërjen e plotë të Këshillit Prokurorial.

Duke komentuar negociatat aktuale të mazhorancës parlamentare, ai tha se duhet krijuar baza që mazhoranca të funksionojë.

“Nëse vërtet nuk funksionojmë, atëherë duhet të gjejmë një model tjetër dhe të themi lamtumirë”, tha Abazoviq.

Ai shtoi se zgjedhja e Këshillit Prokurorial është një nga çështjet më të rëndësishme në Mal të Zi.

“Apeloj tek deputetët që të zgjedhin përbërjen e plotë të Këshillit Prokurorial, sepse mund të futemi lehtësisht në një situatë ku zgjedhim një përbërje të cunguar , me çka do të krijohej përshtypja se është bërë diça që të mos ndryshojë asgjë”, tha Abazoviq.

Duke komentuar negociatat aktuale të shumicës parlamentare, Abazovic tha se URA asnjëherë nuk i është shmangur dialogut dhe se qëndrimet e tyre janë të qarta, por edhe duhet të vendosen disa kufij.

“E keni dëgjuar edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Nuk kam faj unë që perceptimi për disa subjekte politike është ashtu siç është”, shtoi ai.

Lidhur me mosfunksionimin e mazhorancës u prononcua edhe presidenti Millo Gjukanoviq, i cili tha se e gjithë opozita do ta përkrah mocionin për mosbesimin e qeverisë, por ajo do të dorëzohet atëherë kur të vlerësohet se do të ketë sukses.