Akademik REXHEP QOSJA

Lindi më 25.VI.1936 në fshatin Vuthaj të Plave Gucisë. Katër klasët e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci. Më 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960 u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës ku u diplomua më 1964. Në vitin 1967 pranohet asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/68 specializon shkencën e letërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Më 1969 zgjidhet bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktorimit, më 1972, është zgjedhur, një herë bashkëpunëtor i lartë e, pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, profesor inordinar dhe, mandej, profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri në vitin 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare Jeta e Re.Ka botuar një numër të madh recensionesh, vështrimesh, artikujsh, sprovash, trajtesash dhe studimesh nëpër shumicën e revistave shkencore dhe letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe e të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Deri tani ka botuar 16 libra , në mesin e të cilëve edhe Historinë e romantizmit shqiptar, në tri vëllime. Punime apo vepra të veçanta i janë përkthyer në disa gjuhë. Libri Letërsia dhe kritika i është botuar në serbokroatishte, kurse romani Vdekja më vjen prej syve të tillë i është botuar në serbokroatishte, në sllovenishte dhe në bullgarishte. Drama Sfinga e gjallë i është botuar në serbokroatishte, kurse drama Beselam pse më flijojnë, në arabishte. Proza ese e studime i janë botuar edhe në rusishte, në frëngjishte, në rumanishte, në turqishte, në maqedonishte e në hungarishte. Është përfaqësuar në antologjitë e prozës shqipe të botuara në Jugosllavi, në Paris, në Moskë dhe në antologjitë e eseve të kombeve e të kombësive të Jugosllavisë, të botuar në Lubjanë.Për krijimtarinë shkencore dhe letrare është çmuar me: Shpërblimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – 7 Korriku, më 1975. Është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i ka dhënë çmimin “Nderi i Kombit”.

http://www.ashak.org/?cid=1%2C24%2C36