Amerika sërish thirrje Serbisë: Duhet të mbani përgjegjësi për vrasjen e vëllezërve Bytyqi

Ambasada e Amerikës në Serbi, ka lëshuar një reagim me rastin e 23-vjetorit të vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, që u vranë pas luftës nga aparati shtetëror serb.

Në reagim, Ambasada kërkon që Serbia të mbajë përgjegjësi për vrasjen e Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqit.

“Sot bëhen 23 vjet që kur tre shtetasit amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, u ekzekutuan në paraburgimin e policisë speciale serbe. Ka kaluar edhe një vit dhe pikëllimi për familjen Bytyqi nuk ka përfunduar. Edhe një vit dhe sistemi serb i drejtësisë ende nuk ka mbajtur askënd përgjegjës për këtë krim të tmerrshëm lufte. Ne nuk do ta harrojmë këtë krim dhe i bëjmë thirrje Serbisë edhe një herë që të mbajë përgjegjësi nga ata që kanë kryer dhe kanë mbuluar këto vrasje”, thuhet në reagim.