Boshnjaku i parë që u emërua gjeneral nga Vuçiq, merr pozitë të lartë në ushtrinë serbe – Por kjo e ka një prapavijë

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq emëroi gjeneral brigade Muharem Fazliqin në pozitën e shefit të Drejtorisë për Stërvitje dhe Doktrinë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, bëhet e ditur në faqen e Ministrisë.

Fazliq, me dekret të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një vit më parë u gradua në mënyrë të jashtëzakonshme gjeneral brigade, që ishte hera e parë që një pjesëtar i besimit islam mbante atë gradë në Ushtrinë Serbe.

Duke kryer funksionin e zëvendëskomandantit të Brigadës së II-të të Ushtrisë Tokësore, Muharem Fazliq mbante gradën kolonel.

Muharem Fazliq ka lindur më 4 tetor 1969. Ai është me origjinë nga Sjenica. Në gradën nënkolonel ishte komandant i kazermës “Rifat Burdzhoviq Tërsho” në Novi Pazar.

Gradën e kolonelit të njësive të blinduara e ka marrë më 15 shkurt 2012, me rastin e festës së Republikës së Serbisë.

Me dekret të Presidentit të Serbisë më 15 prill 2021, kolonel Fazliqit iu dha medalja e artë për shërbim të merituar.

Tetë ditë më vonë, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ia dhuroi medaljen.

Por avancimi kaq i shpejt i një boshnjaku në hierarkinë më të lartë të ushtrisë serbe nga Vuçiqi dhe grupi i tij, e ka një prapavijë.

Mediat e pavarura serbe kanë raportuar më parë se Fazliq kohë më parë iu kishte bërë thirrje boshnjakëve nga Serbia që t’i bashkohen ushtrisë serbe.

Boshnjakët dhe shqiptarët në Serbi vazhdojnë të jenë popuj të diskriminuar, prandaj thirrja e Fazliqit i konvenon Vuçiqit.