Fatos Beqiraj i bashkohet ekipit të vetëm shqiptar në elitën e Malit të Zi

Lojtari me më së shumti paraqitje për Malin e Zi do ta vazhdojë karrierën në kampionatin e këtij vendi. Bëhet fjalë për sulmuesin kosovar Fatos Beqiraj.

33-vjeçari nga Peja është marrë vesh me Deçiqin e Tuzit, klubin e vetëm shqiptar në elitën e futbollit të Malit të Zi. Deçiqi po lufton për kreun këtë edicion dhe do të llogarisë shumë në ndihmën e Beqirajt për pjesën e dytë të kampionatit.

Sidomos përvoja e Beqirajt pritet të jetë me shumë vlerë për Deçiqin. Beqiraj ka arritur në shifrën e 85 ndeshjeve për Malin e Zi, ndërsa i ka realizuar 15 gola. Për U21 të Malit të Zi kishte luajtur pesë ndeshje.

Pasi kishte nisur karrierën në Pejë, te Shqiponja e dikurshme dhe Besa, Beqiraj në vitin 2008 ishte transferuar te Buduqnosti i Podgoricës. Te Buduqnosti kishte shkëlqyer. Pos që siguroi ftesë nga Mali i Zi, siguroi edhe transferim te Dinamo e Zagrebit. Për Dinamon ka luajtur nga viti 2010 deri në vitin 2014. Më pas ka luajtur për Changchun Yatai në Kinë, Dinamo Minsk në Bjellorusi, Dinamo Moska në Rusi, Mecheleni në Belgjikë, Maccabi Netanya në Izrael, Wisla Krakowi në Poloni, Bnei Yehuda në Izrael dhe së fundi te Astana në Kazakistan.

Kulmin e ka arritur te Dinamo e Zagrebit, me të cilën skuadër ka fituar trofe, ka luajtur në fazën grupore të Ligës së Kampionëve dhe ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit kroat në një edicion.

Beqiraj vazhdon të luajë për Malin e Zi. Deri tani i ka 85 ndeshje. Rekordi i tij për paraqitje pritet të qëndrojë më gjatë. Lojtari i dytë me më së shumti paraqitje është Stevan Jovetiq, që ka 62 paraqitje. Me 15 gola, Beqiraj është golashënuesi i tretë më i mirë në histori të përfaqësueses së Malit të Zi.

Deçiqi po përgatitet në Antalya, ndërsa Beqiraj do të bashkohet së shpejti me ekipin. Skuadra nga Tuzi është ndarë me Ilir Camajn, ndërsa ka angazhuar Erjon Vucajn. Beqiraj pritet të mbulojë boshllëkun që ka lënë Camaj.

“Kemi finalizuar marrëveshjen me Fatos Beqirajn. Ai do të jetë pjesë e skuadrës sonë për një vit e gjysmë. Pas largimit të Camajt kemi pasur nevojë për një sulmues të kalibrit të Beqirajt dhe e kemi kontaktuar atë. Fatosi është përforcim shumë i madh për skuadrën tonë. Nuk ishte e vështirë ta bindim, ishte i hapur për transferim. Këtë kampionat synojmë daljen tjetër në Evropë, por nëse vjen diçka më shumë është e mirëseardhur. Kampionatin tjetër do të ndërtojmë ekip për titull, natyrisht me Beqirajn, pjesë të rëndësishme të tij”, ka thënë për KOHËN Pal Dreshaj, kryetar KF Deçiqit.

Deçiqi vjet doli për herë të parë në Evropë, ndërsa është eliminuar nga Drita në Ligën e Konferencës. Tashmë është prej skuadrave kryesore në Malin e Zi.

Beqiraj është shumë i pëlqyer nga tifozët e futbollit të Malit të Zi, sidomos nga tifozët e Buduqnostit. Por tani do të luajë për një skuadër që gradualisht po shndërrohet në rival të madh të ekipit podgoricas.