Fondacioni “Trojet Tona” me Ansambel të këngëve dhe valleve

Fondi humanitar ‘Trojet tona’ që vepron në kuadër të shoqatës ‘Ana e Malit’ në New York, pas një mori aktivitetesh bamirëse dhe mbështetëse, vazhdon me iniciativat e radhës.

Të dielën, me 28 nëntor, në kuadër të shënimit të kësaj feste të madhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë, u bë prezantimi i Ansamblit të këngëve dhe valleve. Ky ansambël përbëhet nga solistë këngëtar, instrumentist, grupin e valles dhe profesionist të tjerë. Qëllimi i këtij ansambli është përpunimi, zhvillimi dhe promovimi i thesarit folklorik të këtyre trevave, që përfshin pasurinë e madhe folklorike vokale, instrumentale, kostumografike dhe koreografike.

Poashtu me këtë rast u bë edhe hapja e hapësirave të reja në Katërkollë, të cilat do të shërbejnë si qendër edukative-kulturore në këtë zonë. Kjo qendër do të siguroj kushte më të mira dhe adekuate për organizimin e aktiviteteve të larmishme si: kurse të gjuhëve të huaja, takime, punëtori, seminare dhe aktivitete kulturore për të rinj.