Gjendet i pajetë alpinisti Qazim Fetahoviq në Hajlë të Rugovës

Rozhajë – Trupi i alpinistit nga Mali i Zi, Qazim Fetahoviq, i cili dje u rrëzua gjatë ngjitjes në malin Hajla, është gjetur pas kërkimeve që zgjatën që nga mbrëmja e kaluar, raporton gazeta malazeze Vijesti.

Më herët, ekipet e shpëtimit kishin rifilluar kërkimet, të cilat paraprakisht ishin ndërprerë për shkak të kushteve të këqija atmosferike dhe mjegullës së dendur. Gjatë operacionit u arrit të lokalizohej ora e alpinistit të ndjerë, rreth një kilometër larg nga shtëpiza Grope në Hajlë.

Në aksionin e shpëtimit morën pjesë alpinistë nga Mali i Zi, pjesëtarë të Shërbimit të Shpëtimit Malor nga Rozhaja dhe Kosova, si dhe zjarrfikës e policë nga Rozhaja.

Sipas informacioneve të Vijesti, Fetahoviqi po lëvizte në shtegun malor kur, pranë kuotës së majës, ka rënë përmes një grumbulli dëbore — një strehë e formuar si pasojë e erërave të forta dhe akumulimit të borës mbi një shpat të pjerrët.

Gazeta malazeze raportoi se, sipas të dhënave jozyrtare nga Drejtoria e Policisë, ekipi i alpinistëve kroatë, me të cilët Fetahoviqi kishte qenë në ngjitje një ditë më parë, ndodhet në stacionin policor në Rozhajë për të dhënë deklarata.

Nga informacionet në terren mësohet se edhe dy alpinistë të tjerë nga i njëjti grup për pak sa nuk ranë në të njëjtin segment, por arritën të mbahen falë kazmave të akullit. Më pas ata u tërhoqën nga pjesa tjetër e ekipit në një pjesë të sigurt të shtegut.

Në operacionin e kërkimit u përfshinë edhe pjesëtarë të Shërbimit të Shpëtimit Malor nga Mitrovica, disa alpinistë malazezë nga klube të ndryshme, si dhe Policia Kufitare e Malit të Zi.

Sipas burimeve nga terreni, në aksion nuk kanë qenë të përfshirë pjesëtarët e Shërbimit të Shpëtimit Malor të Malit të Zi. Nga ky shërbim i është thënë gazetës Vijesti se kolegët nga Kosova e kishin më afër zonën për të ndërhyrë, pasi kushtet e motit nuk lejonin ngritjen e helikopterit, por se ata kanë qenë në kontakt me ekipet në terren.

Për ngjarjen është njoftuar prokuroria.

Kërkimi për Fetahoviqin, që nga mbrëmja e kaluar, është zhvilluar në kushte jashtëzakonisht të vështira, me reshje të mëdha dëbore dhe mjegull të dendur, raportoi gazeta malazeze.