Gjukanoviq kundër qeverisë së pakicës. Mohon largimin nga politika

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, në Forumin Integrues të Ballkanit që po mbahet në Podgoricë, tha se daljen nga kriza aktuale politike në të cilën gjendet Mali  Zi e sheh vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të reja, ose formimin e një qeverie të re, por jo të pakicës por me një përkrahje të fortë politike.

Gjukanoviq tha se qeveria eventuale e pakicës do të kishte një afat tepër të shkurtër prej 6 apo 9 muajsh, çka nuk mjafton për të sjellur vendimet e duhura. Ai arsyetoi se pas humbjes në zgjedhje ofruan që të përkrahnin në qeveri të tillë, pasi shqetësoheshin për ruajtjen e kursit të politikës së jashtë të vendit, por tani kanë pritshmëri të tjera dhe janë më të kujdesshëm në dhënien e legjitimitetit për një qeveri të re.

Gjukanoviq po ashtu la të kuptohet se nuk do të tërhiqet as nga kreu i partisë as nga politika, duke thënë se asnjëherë nuk ka lejuar që dikush tjetër të ndikojë në vendimet e tija për pjesëmarrjen apo jo në politikë. Ai hodhi poshtë spekulimet se nga faktori ndërkombëtar i është kërkuar largimi, dhe tha se bëhet fjalë për njerëz tepër serioz për të propozuar diçka të tillë.