Hajrullah Hajdari: ZHGËNJIMI I RADHËS

Zgjedhjet e fundit lokale në Komunën e Ulqinit (27 mars 2022) nuk sollën asgjë të re për qytetarët e kësaj komune, përveçse zhgenjimin e rradhës. As një parti politike apo koalicion nuk ka arritur të fitojë shumicën e nevojshme për të krijuar dhe udhëhequr pushtetin  vendor në katër vitet e ardhshme. Me e dhimbshme se kjo është defaktorizimi i partive shqiptare në këto zgjedhje, të përcjellura me parregullsi të shumta, korupsion dhe si rrjedhojë keqpërdorimi i rradhës  i votuesit nuk pati të ndalur. Vërtetë këto zgjedhje u mbajtën në kushtet e krizës ekonomike, rritjes enorme të çmimeve  të artikujve kryesor të shportës mujore të qytetarëve, në një atmosferë të populizmit dhe krizës qeveritare të filluar shumë muaj më parë.Të gjitha këto dukuri negative ndihmuan             “ manipuluesit zgjedhor” që mos ta lënë zanatin e vjetër  “blerja e votës”, por ta avansojnë ate edhe më shumë.

Po çka është “Blerja e votës”?!

S’është tjetër veçse një veprim djallëzor ndaj inegritetit, moralit, vlerave dhe respektit të njeriut të ndershëm dhe të lirë, ose thënë ndryshe blerje-shitje me para e integritetit familjar në këmbim të zgjidhjejes momentale të ndonji halli momental të qytetarit hallexhi, por jo vetëm atij. Përfitues i “blerjes së votës” në këto zgjedhje nuk ishte vetëm qytetari hallexhi,  por kushdo qoftë që ia kishte qefi paranë. Ky matrapazllëk i ndyrë u bë modë, askush më nuk fliste për integritetin, moralin e lere më për patriotizmin, në këtë rast shqiptar. Flitej vetëm për shumën e ofruar, e cila bëhej më e joshëse e natyrisht  më e madhe sa vinte e ofrohej dita e zgjedhjeve gjegjësisht oferta rritej në momentin që një parti politike shihte partinë tjetër më të avancuar në këtë korupcion politik e si pasojë në rast të mosveprimit rrezikohej. Dikush thonte “të mjerët qytetarë, çi gjeti” e të tjerët thërisnin: “luaj nafakë, luaj”!  Sidoqoftë, zgjedhjet lokale të 27 marsit në Ulqin mund të ishin çdo gjë por zgjedhje të lira e të nderëshme jo!

Bashkëpunimi me DPS-in -zhgënjim i shqiptarëve

Jo të gjithë votuesit ranë pre e këtij matrapazllëku. Zhgënjimin e tyre ose mospajtimin me këtë formë të veprimit të partive politike e shprehën me injorimin e të drejtës së vet qytetare për të zgjedhur ose me qenë i zgjedhur në organet përfaqësuese të pushtetit vendor. Ky pohim vërtetohet me pjesëmarrjen e vogël të qytetarëve në zgjedhje, vetëm 57,33 % të votuesëve dolën në zgjedhje.

Për zhgënjimin e qytetarëve nga qeverisja 30 vjeçare e DPS-it është folur, diskutuar e shkruar shumë e shumë herë. Nga ajo qeverisje, është botërisht e ditur, trojet shqiptare ishin dhe mbeten vendet ekonomikisht më të pazhvilluara në Mal të Zi, përkundër resurseve të mëdha natyrore që sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Pra, shqiptarët në Mal të Zi në aspektin zhvillimor ishin “non grata” e kësaj qeverie.

Instalimi i pluralizmit politik në Mal të Zi ngjalli të shqiptarët shpresën për një zhvillim më të shpejtë ekonomik e për një barazi politike të pranueshme. Por, si kalonin vitet kulti i lidershipit dhe interesat personale të tyre u fuqizuan aq shumë sa votuesi u shndërrua në “ushtarë” besnik të tyre! Interesat personale u vendosën mbi intersat e përgjithshme të zhvillimit ekonomik. Filloi një epokë e mbizotërimit të volumit mbi cilësinë. U bë modë punësimi i paligjshëm, lulëzonte nepotizmi, asfalti e poçat elektrik  dilnin si këpurdhat pas shiut, me kriter e pa kriter, keqpërdorimi i mjeteve financiare nga udhëheqësit lokal dhe bashkëpunëtorët të tyre u bë dukuri e përditshme. Në këtë mënyrë edhe partitë politike shqiptare, sidomos nga viti 2007 e këndej, u bënë joshëse për votuesin shqiptarë. Dhe vërtet votuesit shqiptarë i të gjitha këtyre viteve, votuan shqip. Por ç’e do kur lidershipi i tyre pas përfundimit të zgjedheve, pa zbardhur drita, shkonte në Podgoricë, të i “madhi” për të bërë koalicion me DPS-n edhe pse partitë politike shqiptare e kishin shumicën për krijimin e pushtetit vendor pa DPS-in. Kështu, vite me radhë lidershipi dhe interesxhinjtë e tyre e tjetërsonin vullnetin e votuesit besnik të tyre. Integriteti i qytetarit u bë “për pesë pare”. Natyrisht, përseri zhgënjim dhe si pasojë e këtyre veprimeve dhe zhgënjimeve besimi i shqiptarëve ndaj partive të tyre po zbehet gjithnjë e më shumë.  

Fillimi i defaktorizimit të partive shqiptare

Zgjedhjet e fundit lokale në Ulqin karakterizohen më populizmin dhe fuqizimin e partisë politike URA, e cila përveç lidershipit të saj nuk mund të radhitet si parti politike shqiptare. Shumë shqiptarë u radhiten në krahun e kësaj partie politike e në mesin e tyre edhe dy parti politike shqiptare- PD-ja dhe ASH-ja, e cila deri në këto zgjedhje nuk ishte faktorizuar në Ulqin. Populizmi apo besimi të lidershipi i URA-së bëri që asaj ti bashkohen edhe dy parti politike qytetare-PSD-ja dhe SD-ja dhe kështu me moton “Fillimi i Ri” u krijuan një konglomerat apo bashkim mekanik partish të spektreve të ndryshme politike. Pritshmëria ishte e madhe saqë ky konglomerat pretendonte të merrte shumicën dhe të krijonte pushtetin vendor në Ulqin. Por, nuk ndodhi kështu. Ato morën vetëm 14 mandate këshilltarësh nga të cilët URA vetëm 5 mandate, PD 5 mandate ASH 1 mandat e të tjerët 3 mandate. Arsyet e këtij dështimi janë të shumta dhe ja vlen të analizohen! Gjithësesi ky numër i mandatëve na le të kuptojmë se ka pasur rrjedhje të votave nga partitë shqiptare në “Fillimi i Ri”, sidomos nga “FORCA” e cila është partia e vetme shqiptare që garoi e vetme dhe fitoi vetëm 5 mandate. Që shqiptarët mos të mbesin krejtësisht të zhgënjyer u kujdes koalicioni i vetëm shqiptar “UDSH-LDnëMZ” të cilët fituan 6 mandate dhe mund të cilësohen lirisht si fitues moral të këtyre zgjedhjeve. Kësaj radhe, sipas të gjitha gjasave, partitë politike shqiptare për gabimin trashanik të katër viteve më parë, të cilat përkundër 18 mandatëve ia “falën” kryetarin e komunës DPS-it, u penalizue nga vetë votuesi shqiptar, sepse rasti për formimin e pushtetit vendor nga partitë politike shqiptare kësaj radhe është vetëm teorikisht i mundur. Kështu,  në vend të evolimit të interesit për të votuar shqip, këto zgjedhje treguan se partitë politike shqiptare nuk janë më faktor kryesor për formimin e pushtetit vendor në Ulqin. Pra, për partitë shqiptare këto zgjedhje na sollën defaktorizimin e tyre apo së paku fillimin e tij.

Shumë “opionist apo analist” kanë shprehur mendimin se përgjegjës për fillimin e defaktorizimit të partive politike shqiptare janë vetë partitë politike shqiptare dhe udheheqësit e tyre si pasojë e mosreformimit të tyre. Po a është e gjitha kjo?  Siç cekem më herët befasia më e këndshme e këtyre zgjedhjeve është koalicioni  UDSH-LDnëMZ dhe për çudi  këto dy parti udheheqen nga persona që janë në ato parti në vende udhëheqëse, që nga fillimi i pluralizmit politik. “FORCA” jo shumë kohë para zgjedhjeve ka zgjedhur kryetarin e ri, por ky ndërrim nuk u tregua i sukseshëm. PD-ja është e vetmja parti politike shqiptare që nga themelimi i sajë udhëhiqet vetëm nga i njëjti person dhe si rrjedhojë fitoi më pak mandate se në zgjedhjet e kaluara.

Duke u nisur nga rrethanat e përmendura (korupsioni ekonomik e politik, nepotizmi, keqpërdorimet etj.)  dhe rrezeltatet e arritura të partive politike shqiptare, mendoj se  problemi është shumë më i thellë se vetëm reformimi i partive politike shqiptare. Reformimi, rifreskimi dhe përshtatja e programeve dhe platformave politike të partive shqiptare është më se i nevojshëm.

Mali i Zi përballet me grupe të shumta të krimit të organizuar, me korupsion të lartë politik dhe ekonomik dhe si pasojë ngecja në zhvillimin ekonomik të trojeve shqiptare është i prekshëm. Blerja votës me para në këmbim të një vendi  pune ose për lakmitë personale të individeve të caktuar e poshtëron qytetarin e ndershëm dhe thellon pakënaqësinë në mes të qytetarëve. Kjo quhet krizë që për pasojë ka shkatërrimin e institucioneve demokratike shtetërore. Pra, kemi të bëjmë me shkatrrimin e sistemit, ndalimin e të cilit është dashur të bëjë dhe duhet ta bënte shteti. Por, shteti nuk e ndaloi, përkundrazi e stimuloi. Shteti me mosveprimin e tij kundër këtyre dukurive të shëmtuara e shkatrroi edhe sistemin zgjedhor në përgjithësi.

Përgjegjësi në vazhdim e partive shqiptare

Ndaj, duke mos shfajsuar partitë politike shqiptare për konservatizmin e tyre politik dhe përkrahjen e shabllonit të vjetër të udhëheqjës së partisë, është më se e qartë se problemi kryesor edhe për partitë shqiptare është shkatërrimi i institucioneve dhe sistemit demokratik në Mal të Zi. Kjo situatë edhe më shumë e bënë të nevojshme bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve të partive politike shqiptare, me qëllim të unifikimit të kërkesave të tyre legjitime. Mbetja në pozicionet e tanishme, ku çdo parti ruan fort pozicionet e veta nuk çon gjekundi përveçse në bërje realitet të defaktorizimit  të elementit shqiptar në Mal të Zi.