Kenia u bë shteti i 118-të që njeh Kosovën, Vjosa Osmani mesazh homologut të saj: Kemi sakrifikuar ndër shekuj për liri dhe sovranitet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohjen e saj për vendimin e Republikës së Kenias që e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ajo ka njoftuar se ky vendim ka ardhur pas nënshkrimit të dokumentit nga presidenti kenian, Uilliam Ruto, dhe është dërguar zyrtarisht në Presidencën e Kosovës.

Osmani e ka vlerësuar këtë njohje si një dëshmi të mbështetjes për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet, duke theksuar gjithashtu sakrificën e madhe të popullit të Kosovës për këto ideale. Ajo ka falënderuar Presidentin Ruto dhe popullin e Kenias për këtë hap të rëndësishëm dhe për mbështetje të vazhdueshme.

Presidentja ka shtuar se gjatë takimeve të zhvilluara me Presidentin Ruto, njohja e Kosovës ka qenë një temë kryesore dhe se ai gjithmonë ka garantuar për një vendim të shpejtë, të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe sakrificën e popullit të Kosovës. Osmani ka shprehur falënderime të veçanta për ish-Presidentin dhe ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, për angazhimin e tij në këtë proces.

Në përfundim, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të ecë përpara në rrugën e saj për integrim dhe forcimin e pozicionit ndërkombëtar dhe ka shprehur shpresën për një thellim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Kenias, duke vendosur marrëdhënie diplomatike dhe një partneritet të fortë afatgjatë.