Kërkohet bashkëpunimi i juaj lidhur me studimin  ”KTHIMI I MËRGATËS SHQIPTARE NGA PËRSPEKTIVA E RIINTEGRIMIT DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK NË KRAHINËN E PLAVËS E GUCISË”

Nga: Prof.Dr.Mujë Gjonbalaj

Shpërngulja nga Krahina e Plavës e Gucisë është një proces i gjatë. Përcillja ekzakte e këtyre lëvizjeve, veçanërisht e shqiptarëve është e pamundur. Kjo ngase shpërnguljet duhet lidhur me individin, personin, kohën dhe lokalitetin prej nga janë shpërngulur. Deri me tani nuk ka pas asnjë përpjekje serioze për regjistrimin e këtij fenomeni. Ky fenomen kërkon studim të hollësishëm, për të pasqyruar realitetin. Hartimi i këtij studim vlerësojmë do të ishte hapi i parë i domosdoshëm në kërkim të kushteve për  kthim dhe ri integrim të shqiptarëve të shpërngulur nga Krahina e Plavës e Gucisë. Megjithatë kthimi fizik në atdhe nuk nënkupton ri integrimin e qëndrueshëm. Për të arritur këtë qëllim duhet një program gjithëpërfshirës. 

Qëllimi kryesorë i studimit është ti hulumtojë kushtet, mundësitë dhe rrethanat në të cilat të shpërngulurit janë të gatshëm të kthehen dhe ri integrohen në mënyrë të qëndrueshme në Krahinën e Plavës e Gucisë. 

Projekti synon që në periudhën katër vjeçare 2023-2026 të jetësojë ri integrimin e 150 individëve nga mërgata e Krahinës së Plavës e Gucisë, përmes formimit profesional dhe krijimit të vendeve të punës.

Jetësimi i strategjisë së kthimit të komunitetit shqiptarë të Krahinës së Plavës e Gucisë duhet të ndjek hapat vijues: 

•       Kthimi dhe ri integrimi i mërgatës me pjesëmarrjen e strukturave lokale të dy komunave aktuale (Plavës e Gucisë), shoqatave për riatdhesim dhe me pjesëmarrje të vetë kthyerve, 

•       Kthimi do të realizohet përmes një paketë të plotë asistence dhe lehtësimit të procesit të kthimit dhe ri integrimit, 

•       Identifikimi i kërkesave dhe nevojave specifike të individëve, lidhur me krijimin e një vendi pune, ofrimi i kurseve të trajnimit, këshillave për regjistrimin e biznesit, për kushtet e kreditimit, për ligjet që rregullojnë fushën e biznesit, mënyrat efektive të menaxhimit të biznesit, të aspekteve financiare, të tregut dhe shitjes.

•       Programi i kthimit bazohet në identifikimin e 15 projekteve me prioritetet, me treguesit kryesorë fizik dhe financiarë.

•       Pjesë e këtyre projekteve do të jenë një pako e projekteve që synojnë të nxisin biznesin femërorë në disa aktivitete fitimprurës në mjediset e shtëpisë apo diku afër saj. Çfarë mund të ofrohet tjetër në kuadër të këtij studimi, që kthimi i mërgatës shqiptare të Krahinës së Plavës e Gucisë të bëhet realitet ??për ?

1.      Ndërmarrja e hapave konkrete për vendosjen dhe zhvillimin e kontakteve më të ngushta me diasporën shqiptare të Krahinës së Plavës e Gucisë

2.      Hapja e një faqeje/platforme informacioni ku të jepen detaje mbi mërgatën e Krahinës së Plavës e Gucisë në vendet ku e zhvillojnë aktivitetin.  

3.      Krijimi i një regjistri për shqiptarët e Krahinës së Plavës e Gucisë jashtë vendit, në shoqatat ku ata janë të organizuar, që do të përfshijë të dhëna mbi moshën, gjininë, arsimin, formimin dhe profilin profesional, qëllimin e qëndrimit jashtë shtetit etj.

4.      Zhvillimi i këshillimeve individuale dhe takimeve të hapura për të kthyerit rreth tregut të punës

5.      Përkrahja e individëve e familjeve të kthyera që kanë ndonjë plan të biznesit, duke ju ofruar këshilla për aplikim për kredi, për menaxhimin e situatave të rrezikut dhe komunikimin me partnerët e tyre

6.      Ndihmesë teknike dhe administrative për ngritjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, asistencë në hartimin e planeve të biznesit dhe implementimin e tyre, këshilla financiare dhe ligjorë, shitje dhe marketing, për mundësit dhe format e investimit,

7.      Trajnim lidhur me sistemin e taksave dhe procedurat e regjistrimit të biznesit të tyre

Më parë se të identifikohen projektet konkrete dhe të ndërmerren veprime konkrete teknike dhe administrative për ri integrimin e mërgatës, do të zhvillohet një pyetësor/ANKETUES, i cili përmban të dhëna për emigrantet sipas vendit ku veprojnë si: gjinia, mosha, profesioni, përgatitja shkollore, veprimtaria që ushtrojnë.

Qëllimi i pyetësorit/ANKETUESIT është të lehtësojë hulumtimin e strukturave karakteristike të mërgatës nga Krahina e Plavës e Gucisë, të cilët kanë gatishmëri të kthehen, për preferencat e tyre, për projektet ku ata do të ri integroheshin më shpejtë dhe në mënyrë më efikase, për eksperiencën e punës jashtë vendit, statusi martesorë, statusi i punës, përgatitja shkollore, arsyet e kthimit, kushtet dhe rrethanat ekonomike në të cilat ata janë të gatshëm të kthehen, nëse kanë investuar deri me tani në vendlindjen e tyre, lartësia e investimeve, sektori i investimeve, nëse dëshirojnë të krijojnë vetëpunësim apo do t’u pëlqente të punonin si punëtorë me pagë, koha brenda së cilës janë të gatshëm të kthehen, vendbanimet ku me dëshirë do të riktheheshin, veprimtaritë më të pëlqyera me të cilat ata do të merreshin dhe ku do të ishin të gatshëm ti angazhojnë kursimet e tyre. 

Pastaj, pyetësori do të përmbaj pyetje nëse fëmijët e tyre janë të gatshëm të kthehen dhe  kushtet në të cilat ata janë të gatshëm të kthehen, çka ata rekomandojnë rreth lehtësimit të kthimit të tyre për sa i përket përmirësimit të menaxhimit të kthimit etj.  

Pyetësori do ti përfshijë të gjitha këto çështje në detaje 

Për realizimin e kthimit vullnetarë dhe riatdhesimin e komunitetit shqiptarë të Krahinës së Plavës e Gucisë, në studim me prioritet do të fokusohen çështjet si:

•       Incizimi i gjendjes aktuale të mërgatës të Krahinës së Plavës e Gucisë, duke konsultuar literaturën ekzistuese dhe burimet tjera (janar – shkurt 2023),

•       Grumbullimi i fakteve përmes zhvillimit të pyetësorit//ANKETUESIT me diasporën shqiptare të Krahinës së Plavës e Gucisë (Tetor–Dhjetor 2022),

•       Sistemimi i të dhënave statistikore dhe i fakteve të grumbulluara (Mars 2023)

•       Përpunimi statistikorë i të dhënave (Softueri SPSS) (Mars 2023)

•       HARTIMI I STUDIMIT (Prill-Korrik 2023)

•       Përfundime dhe rekomandime (Korrik 2023)

Pjesëmarrja juaj në këtë studim është vullnetare.

Procedura për përzgjedhjen e individëve që do të intervistohen do të jetë e rastit, me prioritet të atyre që janë të gatshëm për tu rikthyer vullnetarisht.

Numri i individëve që do të intervistohen duhet që të reflektoj proporcionin e mërgatës shqiptare sipas vendbanimeve nga Krahina e Plavës e Gucisë. 

Mosha e të anketuarve duhet të jetë mbi 18 vjet

Madhësia e mostrës/numri i të anketuarve (të dy gjinive): 250-300 

Mbledhja e të dhënave dhe e përgjigjeve do të jenë anonime. Nuk do të identifikoheni në bazë të emrit dhe mbiemrit. 

Bartës i studimit: Mujë H. Gjonbalaj

Pyetësorin mund ta gjeni dhe plotesoni ONLINE në ketë link:

https://docs.google.com/forms/d/1uDSMOKnYPC_UL6pHgTqL-AqwRLT2EbG6pn__dQsBlYE

Biografi e shkurtër e Prof.Dr.Mujë Gjonbalaj

U lind me 23.04.1956 në fshatin Vuthaj, komuna e Plavës, Mali i Zi. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen ekonomike në Pejë në vitin 1975 dhe Fakultetin Ekonomik në Prishtinë në vitin 1979. Fitues i çmimit “student i dalluar”, i Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1982 regjistrohet dhe me 1984 magjistrohet në Fakultetin Ekonomik, të Universitetit të Zagrebit, në temën me titull “Ndikimi i migrimeve të jashtme në zhvillimin ekonomik në Kosovë”. U doktorua në vitin 1995 në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, në temën me titull ”Komponenti Ekonomikë dhe Demografikë i zhvillimit të Popullsisë së Kosovës”. Në vitet 1987/88 ka ndjekur studimet specialistike në fushën “Evaluimi  i Projekteve sipas Metodologjisë së Bankës Botërore”në Universitetin e Zagrebit.

Me përfundimin e studimeve në vitin 1979, punësohet në cilësi të profesorit në Shkollën e Mesme Ekonomike “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Në periudhën 1980-1997 ka punuar në Institutin Ekonomik të Prishtinës, fillimisht si hulumtues, më pastaj si hulumtues i pavarur, bashkëpunëtor i lartë shkencorë dhe në vitin 1997 avancohet në thirrjen shkencore ‘Këshilltar shkencor’. Gjatë viteve 1995-1997 ishte kryeredaktor i revistës shkencore ‘Economia’.

Në vitin 1997 zgjedhet në thirrjen docent, në vitin 2005 profesor i asocuar dhe në vitin 2010 profesor i rregullt, në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Departamenti i Agroekonomisë për lëndët: Statistikë, Statistikë Aplikative, Biometri me Statistikë dhe Evaluimi i Projektit.

Në periudhën 2009-2017 në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm ka ligjeruar disa lëndë në nivelin bachelor, master dhe në programin e doktoratës, në  Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Në vitin 1999/2000 ushtroi funksionin e Zv.ministrit në Ministrinë e Ndërtimit dhe Rindertimit në Qeverinë e përkohshme në Kosovë dhe në periudhën 2002-2004 të këshilltarit të parë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të Qeverisë së Kosovës.

Për më shumë se një dekadë e ka udhëhequr Departamentin e Agroekonomisë në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë. Anëtar i disa trupave profesional dhe shkencorë si: Instituti Albë-Shkenca, Agjencioni i Statistikave të Kosovës, anëtar i komisionit për publikime në fushën e  ekonomisë në kuadër të Universitetit të Prishtinës, kryetar i komitetit të auditimit të brendshem të Universitetit të Prishtinës, anëtar i asociacionit të ekonomistëve në Kosovë, anëtar i Asociacionit të ekonomistëve shqiptarë, bashkëthemelues dhe bashkëpronar i Institutit për menaxhimin e marketingut dhe të ndërmarrësisë në Prishtinë, udhëheqës dhe anëtar i komisionit për mbrojtje të temave të masterit dhe doktoraturës në: Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Tiranës dhe Kolegjin ILIRIA. Bashkëprofesor në Universitetin verorë ndërkombëtar të Prishtinës në vitin 2013/2014. Recensent i një numri të punimeve dhe i monografive shkencore në vend dhe jashtë vendit.

Ka botuar 5 monografi si autor apo koautor. Ka në dorshkrim librin universitar ‘MENAXHIMI i IPROJEKTIT’. Është autor dhe bashkautor i 38 punimeve në revista shkencore. Autor dhe koautor i 55 projekteve dhe elaborateve në fushën e zhvillimit ekonomik. Në kuadër të projekteve të ndryshme ka bashkëpunuar me njw numer tw institucioneve dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare si: Akademia e shkencave dhe arteve të Kosovcës, Ministria e bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural, Ministria e financave dhe ekonomisë, Banka Evropiane për Investime, USAID (SHBA), GIZ (Gjermani), DfID (Mbretëri e Bashkuar), Intercooperation (Zvicër), Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD),  FAO etj.  Ka marrë pjesë me kumtesa në disa konferenca shkencore, në vend dhe jashtë, autor i disa artikujve publicistik dhe i vështrimeve kritike në fushën e ekonomisë. Ka realizuar vizita studimore në Universitetin e Tiranës, Zagrebit, Hohenhajmit në Gjermani dhe Universitetin e Bokus në Austri.