Komuna e Gucisë – Ad Hoc

Gjovalin Nikçi

Ad Hoc. Herën e parë që kam dëgjuar këtë fjalë ishte në vitin 1991, gjatë organizimit të Festivalit Shqiptar në New York. Ma shpjegoi një ndër anëtarët e komisionit përgatitës, se është fjalë latine që do të thotë “për ketë”, d.m.th. për një situatë të përkohshme, për zgjidhjen e një problemi përkohësisht. Pse po e titulloj këtë shkrim me Ad Hoc? Do të mundohem ta shpjegoj në vazhdim të këtij shkrimi dhe do t’ua lë lexuesve të gjykojnë se a ekziston Komuna e Gucisë si një zgjidhje e problemeve të popullatës apo një lojë politike. Nuk do të futem këtu në historikun e Gucisë, sepse duhet shkruar një enciklopedi e tërë për ketë çështje, por për gjendjen e Komunës nëntë vite pas riformimit të saj.

  1. Faqja zyrtare e Komunës – www.opstinagusinje.me
    Në kohën e internetit çdo Gjelosh e Hasan kanë prezencën e tyre dhe mund të habitesh me kualitetin e faqeve në rrjetet sociale dhe postimet e mrekullueshme çdo ditë. A mund të thuhet se faqja zyrtare e Gucisë është informative dhe e dobishme për qytetarët e saj. Sipas ligjeve të Malit të Zi në Komunën e Gucisë duhet përdorur dy gjuhë, pasi që populli shqiptar përbën afro 35 %.
    Lajmi i fundit në gjuhën shqipe në ketë faqe është publikuar me datën 24 prill 2018, d.m.th. para 5 vjetëve, ndërsa në gjuhën malazeze publikohen pothuajse për çdo vit.

Deri para një viti, sekretar i Kuvendit Komunal të Gucisë ka qenë juristi dhe aktivisti I njohur z. Enver Dedushaj, Edhe sot në faqen zyrtare emri i tij figuron si sekretar, edhe pse zëmra e të ndjerit ka pushuar gati para një viti. Në vend të një “In Memoriam” në atë faqe ende gjinden informatat e vjetra e deri edhe numri i telefonit i të ndjerit.
Gjuha shqipe gati që nuk përdoret aspak në informimet e Komunës së Gucisë edhe pse shumicën e Kuvendit e përbëjnë disa parti politike, e në mes tyre edhe 7 anëtarë të partive politike shqiptare. Nuk po i kritikoj këta këshilltarë, por edhe qeveria e Gucisë pa ndihmën e partive shqiptare nuk do ta kishin formuar qeverinë, ashtu si Mali i Zi nuk e kishte fituar pavarësinë nga Serbia, pa votën e shqiptarëve. Thashë po them. Status Quo nganjëherë edhe nuk është aq i mirë.

  1. Drejtoria e parqeve nacionale
    Disa ditë më parë Komunën e Gucisë e vizituan disa “drejtorë” të parqeve nacionale. Një mik imi më tregoi për ketë takim dhe mora pjesë i paftuar. Ishin prezent afro 20 zyrtarë dhe ishte interesant t’i dëgjosh lëvdatat të cilat po i thurnin njëri-tjetrit. Mu duk se isha diku në Zvicër në bukuritë malore të Alpeve. Kur e mora fjalën dhe bëra disa pyetje e ndjeva veten si persona non grata. Fotografitë që i kisha sjellë, të bërllokut nëpër rrugë dhe pranë lumenjve, pyetjet rreth çmimit 3 euro për të shkuar në kafe në një ndër restorantet e Grebajës, infrastruktura etj., nuk ishin pyetje për të cilat ishin përgatitur. Një drejtoreshë deshi të më japë leksion për ligjet e Amerikës dhe domosdoshmërinë e letërnjoftimeve në SH.B.A. Ku i ra ndërmend Amerika, një Zot e din, por më duket foli kot se nuk kishte përgjigje për pyetjen time.
    Edhe pse afro 70% e Parkut Nacional “Bjeshkët e Nëmura” gjendet në territorin e Gucisë dhe sipas informatave të një zyrtari që do të jetë anonim, marrëveshja ka qenë që drejtoria të jetë në Guci e dreqi e din se si përfundoi në Plavë.
    Asnjë zyrtar, ama asnjë, as ata të pushtetit lokal, nuk patën përgjigje se kush është kompetent për tabelat e shenjave të rrugëve dhe vendeve turistike të cilat nuk ekzistojnë në gjuhen shqipe. Të nesërmen në faqen e parqeve nacionale në mënyrë magjike lindi fjalia : “Parku Kombëtar Bjeshkët e Nemuna” pak me drejtshkrim gabim por nejse, dikush paska dëgjuar.
    Të nderuarit miq nga Podgorica na treguan se sa inspektorë etj. kanë dhe se si janë punëtorë të denjë etj., etj., etj.,por sa shqiptarë janë të punësuar aty nuk dinin. Unë njoh mjaft djem e vajza nga kjo komunë të cilët janë më se kompetentë për këso punë, deri edhe me magjistratura të kryera, por punë nuk ka.
  2. Policia
    E vetmja komunë ndoshta në botë që nuk ka Polici (ndërtesë policie) është Gucia. Në territorin e saj janë policia e rregullt, policia komunale si dhe policia kufitare me më se 150 anëtarë. Sa e di unë asnjë shqiptar. Vazhdojmë me stilin jugosllav, por nejse. Të flasim për ndonjë gjykatë apo prokurori do të ishte budallallëk.
  3. Ministria e Punëve të Brendshme
    Certifikata e lindjes, e vdekjes, letërnjoftimi, patenti i shoferit, pasaporta, të gjitha këto janë pak a shumë dokumente të cilat i nevojiten çdo qytetari e vërtetime të shumta. Edhe pse e kemi komunën dhe ndërtesën e bukur të komunës, për të gjitha këto duhet shkuar në komunën e Plavës e pastaj ata të kthejnë në Guci ta marrësh edhe këtë letër e atë letër. Duke marrë parasysh se nga Gucia në Plavë nuk ka linja të rregullta të autobusëve, dikush merr taksi, tjetri lut dikë për ta çuar deri aty, tjetri i çon duart lart. E pse nuk e kemi zyrën në Guci, dreqi e din.
  4. Tatimet dhe Banka
    Edhe pse shumica e popullatës së Gucisë jeton jashtë atdheut, pothuajse të gjithë i paguajnë të gjitha tatimet me rregull dhe me kohë. Disa herë më kanë kërkuar vërtetime bashkatdhetarët tanë dhe hajt vrap në Plavë sepse në Guci nuk ka zyre të tatimeve. Sa herë që shkoj në Plavë në bankë shoh njerëz nga Gucia duke bërë biznes aty. E di se bankat janë institucione private por duket se askush nga Gucia nuk mund ta bindë një bankë, që ta hapë një zyrë këtu dhe nuk dinë t’ua shpjegojnë fuqinë ekonomike të Gucisë ashtu siç i binden 2 kompani të ndryshme të bixhozit të hapin biznes këtu dhe t’u marrin popullit me mijëra euro në muaj.
  5. Sigurimi pensional dhe invalidor i Malit të Zi (Fond PIO)
    Një mikut tim iu desh një vërtetim se nuk merr pension në Mal të Zi. Logjikisht, duhet të ketë zyre në Guci, por jo. Ashtu si mungojnë shumë zyra tjera, as kjo nuk ekziston këtu. Hajde prapë 12 kilometra për në Plavë. Katër herë. Zyra e mbyllur. Gruaja shtatzëne më thanë, 12 kilometra andej, 12 kilometra këndej. 24 kilometra, katër herë. 96 kilometra, e sa orë e kohë e stres. Të 5-tën herë shkrimi në derë: “Ne radimo, za sve u Berane” (nuk punojmë, për gjithçka në Berane), 56 kilometra andej e 56 kilometra këndej, dy herë. Ma në fund e mora atë dreq letre. Po çka na duhet komuna me të gjitha këto pengesa. Kot.
  6. Byroja e Punës
    Koha Javore më kërkoi një vërtetim se nuk jam në gjendje pune. Shyqyr Zotit thashë me veti se së paku këtë zyre e kemi këtu, hajt te dera e dera e mbyllur, Hajt prapë nesër, prapë e mbyllur. Të treten ditë shkrimi në derë: “Për shkaqe teknike nuk punojmë, shkoni në Plavë, blah, blah, blah…” Shkova në Plavë, Nuk dinin çka kërkoj, e thirra Violetën në telefon. Shpjegoju të lutem se çka duhet. Violeta e spjegoi qartë, e po nuk bën më thanë. Duhet shkuar te Zyra e Tatimeve të marrësh vërtetim që nuk ke borxh tatime e pastaj kthehu këtu, Hajde dreq, hajde. E kreva. I dërgova te Violeta dhe e thirra në telefon dhe e pyeta se mos duhet edhe certifikata se jam gjallë, pasi po shëtitja tërë ditën nëpër zyre.
  7. Sekretariati për bujqësinë, turizmin dhe menaxhimin e ujërave
    Në Guci shumica e popullatës shqiptare merret me bujqësi ose me turizëm. Jo, jo, nuk ka as këso zyre këtu. Hajt s’ka lidhje, shkojmë në Plavë. As në Plavë nuk ka, por në Berane, hajt me hajër edhe kjo punë. Ku? Shihe në web faqen e Beranes se e gjen. Futem në Web faqen berane.me e çka me pa, krejt faqja në qirilicë. Po çka bën ai që nuk din t’i lexojë këto germa. Hajt se mungesën e të gjitha këtyre zyrave ua fali disi, por kjo? Si dreqin nuk është këtu?
    Në një mbledhje që organizuan njerëzit që merren me turizëm para disa javëve në Qosaj (Vuthaj) edhe pse u ftuan të gjitha agjencitë që merren me turizëm si dhe qeveria lokale u përgjigjen vetëm kryetari i Kuvendit Komunal të Gucisë z. Bujar Hasangjekaj dhe gazeta e Podgoricës Pobjeda. E si të lavdërojmë punën e tyre, kur nuk gjetën as 30 minuta të vijnë e të dëgjojnë hallet e popullit.
  8. Bashkësitë Lokale
    Kur Gucia ishte pjesë e Komunës së Plavës, fshati Vuthaj ishte bashkësi lokale. Kishin njëfarë pavarësie për disa çështje. Kishim motrën medicionale për çdo ditë në Vuthaj, mjekun dy herë në javë. E sot, Vuthajt pothuajse janë pjesë e komunës së Bajram Currit, por me kufi. Me ardhjen e Komunës së Gucisë pse u ndërpre bashkësia lokale, pse nuk u formuan edhe tjera si ajo e Martinajve, e Vishnjeves dhe Krusheves. Pse, Pse ? Çka thotë ligji, po populli ? Ku shkoi ajo fjala e vjetër latine: “ Vox Populi, Vox Dei” Aman zgjohuni nga gjumi o vëllezër, se në qoftë se nuk e bëjmë ne, nuk e bëjnë as partitë politike e as pushteti.
  9. Qendra e Kulturës.
    Qendra e Kulturës së Gucisë është një ndërtesë e bukur dhe simpatike. Nuk ka shumë aktivitete por ka një histori interesante. Zyrën e Bibliotekës aty e ka financuar Fondacioni Plavë-Guci nga New Yorku, Nuk ka asnjë shenjë që është financuar nga ata. Qilimi në sallën kryesore si dhe bina janë financuar nga autori i këtij shkrimi. Nuk dua shenjë as mirënjohje, në vend të tyre dua një përgjigje të thjeshtë. Pse në këtë ndërtesë gjendet flamuri i Komunës së Gucisë dhe ai i Partisë Boshnjake e jo edhe ai Shqiptar. Jo se kam asgjë kundër partisë boshnjake, por thjesht pse jo edhe i yni, pasi shihet qartë se edhe ne jemi pjesë e Gucisë, apo s’jemi?
    Unë zakonisht nuk shkruaj për politikë, por dikur edhe mua më humbë durimi dhe thjesht dua përgjigje si djalë i kësaj toke. Ndoshta dikujt i duket ky shkrim negativ, por ka edhe pozitivet. Shqiptarët e Gucisë në mërgim janë jashtëzakonisht të suksesshëm në shumë lëmi dhe industri. Në New York industrinë e restoranteve e dominojmë ne. Kamerierët më të mirë në metropolin botëror janë pikërisht shqiptaret e Gucisë. E si mos të jenë, kur shumica e tyre kanë diploma të fakulteteve e besa edhe magjistratura. Shpresoj me zemër se një ditë do të kthehen dhe ta ndihmojnë Gucinë. Gucia është Parajsa në tokë. Pikë.