Komuna e Tuzit dhe Kryeqyteti nuk arrijnë marrëveshje për ndarjen e pasurisë

Këshilli organizativ i Komunës së Tuzit dhe Kryeqyteti nuk kanë arritur mbrëm marrëveshjen për ndarjen e pasurisë, mëson jozyrtarisht gazeta Dan.

Pika e mosmarrëveshjes është ndërmarrja ”Deponia” që ndodhet në kufijtë kadastralë të komunës së Tuzit. 

Të dy palët kanë sugjerimet e tyre se si të ndajnë pronat dhe pajisjet por dallimet janë të mëdha. Siç mëson Dan, komuna e Tuzit ka propozuar që të marrë përsipër ndërmarrjen ”Deponia” dhe kreditet e saj, por Kryeqyteti nuk u pajtua. Ata gjithashtu kishin propozimin që ”Deponia” të jetë në pronësi të Komunës së Tuzit, por ta menaxhojë dhe përdori Kryeqyteti dhe komunës së Tuzit ti paguhen disa qindra mijë euro në vit. As kjo nuk ishte e pranueshme për Kryeqytetin.

Propozimi i kryeqytetit ishte që Deponia të mbetet në pronësi të tyre dhe Tuzi të kishte një zbritje prej 50 përqind në shërbimet e tij. Anëtarët e këshillit organizativ të komunës së Tuzit nuk ishin dakord me këtë propozim.

Përfaqësuesit e Tuzit kërkojnë që gjithçka që është në territorin e Tuzit t’u takojë atyre dhe ajo që është në territorin e kryeqytetit ti takojë Podgoricës. Poashtu nga komuna e Tuzit kërkojnë që të gjitha ndërmarrjet ti marrin në paketë: tregun, shërbimet komunale, ujësiellësin, QKI ”Malësia”, disa kamion të ndërmarrjes ”Çistoqa” dhe nëse në këtë paketë nuk është edhe 
”Deponia’ nuk do ketë marrëveshje.

Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, komentoi shkurt mbrëmë se ka kërkuar nga kryetarja e këshillit që të thërras takim zyrtar në të cilin do të konstatohet se nuk ka marrëveshje dhe të shkonte në arbitrazh.

Siç mësohet, në mbledhjen e mbrëmshme nuk u diskutua për ndarjen territoriale. Territori do të jetë tema e një prej takimeve të ardhshme të këtij këshilli organizativ./Malësia.ME/