Kraja: Dikush në AShAK duhet ta pastrojë ndërgjegjen pse ia mbylli derën Qosjes

Anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja ka thënë se dikush në Akademi ka punë ta pastrojë ndërgjegjën e tij, për sjelljen në raport me Rexhep Qosjën, akademikun e shquar shqiptar që vdiq të enjten.

Kraja shkroi në rrjetin social Facebook se duhet të gjejnë kurajë dhe ta pastrojnë ndërgjegjën e tyre edhe ata që shpifën, e shkeën dhe u përpoqën ta njollosnin emrin e Qosjes.

Ai e kujtoi Qosjen si një prej idealistëve më të mëdhenj të kombit.

Shkrimi i plotë i akademik Mehmet Krajës:

PËR REXHEP QOSJEN

Rexhep Qosja ishte zëri i ndërgjegjes së zgjuar kombëtare: bashkë me të merr fund epoka e idealistëve të mëdhenj, të cilët për kombin folën me zë që kumbon larg dhe tejkalon kufizimet e kohës.

Ai zë vend nderi në historinë e mendimit shqiptar, pranë rilindësve; zë vend nderi në letërsinë shqipe, veçmas në fushën e historisë së letërsisë, ku vepra e tij tashmë është klasikë dhe referencë e patejkalueshme.

Për shumë gjëra nuk jam pajtuar me Rexhep Qosjen, por gjithmonë e kam çmuar mendimin e tij, sepse ai edhe kur gabonte, nuk mund të ishte gjë tjetër pos patriot i zhgënjyer. Gjithmonë kam konsideruar se ai thoshte të vërteta të mëdha për kombin, për identitetin, për letërsinë dhe historinë tonë.

Sekush në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka punë ta pastrojnë ndërgjegjen e tij, pse ia mbyllën derën e këtij institucioni Rexhep Qosjes. Duhet të gjejnë kurajë dhe ta pastrojnë ndërgjegjen edhe ata që shpifën, e shkelën dhe u përpoqën ta njollosnin emrin e tij.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Rexhep Qosjen!