Kraja: Kosova i bëri koncesione Serbisë, Asociacioni është marrëveshja më goditëse

Kryeakademiku Mehmet Kraja ka shumë vërejtje për qëndrimin e Kosovës në raport me Serbinë gjatë procesit të dialogut. Pothuajse të gjitha marrëveshjet e arritura deri tash, sipas tij, janë lëshime që Kosova ia ka bërë Serbisë.

Kraja thotë se kjo çështje është më problematikja në gjithë procesin e bisedimeve.

“Ajo që mendoj që është më e ndishme, më problematike, është se të gjitha marrëveshjet që janë arritur me Serbinë, pothuajse të gjitha, janë koncesione që Kosova ia ka bërë Serbisë. Pavarësisht që tani thonë se jo”, tha Kraja në një intervistë për RTK-në.

Në marrëveshjet e arritura, të cilat Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) i ka mbledhur dhe i ka botuar, kreu i këtij institucioni thotë se nuk dihet as kush i ka bërë, as si janë bërë. Shumë prej tyre, Kraja thotë se nuk kanë madje as preambulë e nënshkrime.

“Pastaj shikoni marrëveshjet një për një. As nuk dihet se kush i ka bërë, as nuk dihet se si janë bërë, as shumica e tyre nuk kanë preambulë, nuk kanë nënshkrime. Shpesh janë marrëveshje të tilla që nuk thonë asnjë gjë, nuk janë marrëveshje ndërshtetërore, sepse natyrisht Serbia nuk e pranonte një gjë të tillë”, tha ai.

Si vërejtjen më thelbësore, Kraja thekson faktin se pala e Kosovës në dialog, sipas tij nuk e ka ndjekur kurrë ambiguiditetin konstruktiv dhe nuk kanë qenë transparentë për qytetarët.

“Ajo që mua më dëshpëron është fakti se pse njerëzit tanë, që nga Marrëveshja e Vjenës, Konferenca e Vjenës e mbrapa, nuk kanë treguar se çfarë po ndodh. Nuk kanë treguar saktësisht se cilat janë koncesionet që ne ia bëjmë Serbisë. Edhe ambiguiditeti kontruktiv është koncesion që Kosova ia bën Serbisë. Kjo është esenciale”, shprehet Kraja.

Ai tha se askush nga Qeveria nuk ka kërkuar nga ASHAK-u ndihmë, mendim apo ndonjë analizë për diçka.

Kraja foli me theks të veçantë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, marrëveshjen për të cilin e konsideron si goditjen më të madhe për Kosovën.

“Ndoshta është marrëveshja më goditëse për Kosovën, sepse i ka mbetë Kosovës nëpër këmbë. Nuk dua ta akuzoj askënd, por unë them se është dashur të jenë më të kujdesshëm kur kanë bërë marrëveshje të tilla. Edhe në interpretimin e asaj marrëveshjeje tani ka defekte të mëdha. E para, ajo nuk i përmbush kriteret e marrëveshjeve ndërkombëtare sepse nuk është ratifikuar në të dy parlamentet. Pra, kjo është marrëveshje e njëanshme”, tha Kraja.

Kryeakademiku tha se për një asociacion sipas Kushtetutës së Kosovës nuk janë të interesuar as serbët në Kosovë, e as Serbia.

Kraja thotë se Asociacioni nuk ka pse themelohet në mënyrë të njëanshme.

“Nëse Serbia e njeh Kosovën, Asociacioni nuk përbën asnjë problem për Kosovën. Administrativisht ne mund t’i lidhim komunat. Nuk ka asnjë problem. Njohja nënkupton njëkohësisht edhe garancion për kufi dhe për raportet me shtetin përkatës”, thotë ai.

Nëse do të nevojitej ndryshimi i Kushtetutës për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, Kraja thotë se këtë duhet ta bënin të dyja shtetet, e jo vetëm Kosova.