Kurti synon “shkrirjen” e institucioneve paralele arsimore e shëndetësore të Serbisë në Kosovë

Qeveria e Kosovës synon fillimin e integrimit gradual të sistemit shëndetësor dhe arsimor serb në Kosovë, duke kërkuar koordinim me Bashkimin Evropian. Këtë plan, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ua shprehu ambasadorëve e diplomatëve ndërkombëtarë në një takim të mbajtur të premten. Në ambasada, gjatë ditës nuk dhanë qëndrime për këtë, teksa përfaqësues serbë e panë planin si lëvizje përshkallëzuese

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e synon fillimin e integrimit gradual të sistemit shëndetësor dhe arsimor serb në atë të Kosovës.

Këtë plan, ai ua ka kumtuar të premten ambasadorëve e diplomatëve ndërkombëtarë, në një takim në të cilin i ftoi për të diskutuar mbi çështje të tjera – për Ligjin për të Huaj dhe Ligjin për Automjete.

Për ta nisur procesin e integrimit, Kurti në takim ka kërkuar koordinim me vendet e Bashkimit Evropian.

“Kryeministri i informoi ambasadorët e pranishëm mbi domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë. Kryeministri tha se ky proces integrues do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë të merren në konsideratë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.