LD në MZ shënon 30 vjetorin e saj

Lidhja Demokratike në Mal të Zi shënon përpjekjen e parë serioze në historinë moderne, për organizim politik të shqiptarëve në Mal të Zi. Dy ditë pas Kushtetutës së Kaçanikut, në një sinergji natyrore, në trevat autoktone të shqiptarëve në Mal të Zi, me datën 9 shtator 1990 u formua partia e parë politike nacionale shqiptare, Lidhja Demokratike në Mal të Zi. Tridhjetë vjet rrugëtim aspak i lehtë për të ardhur në ditët e sotme. Tridhjetë vjet të mbushura me shumë momente delikate e historike. Ky jubile sivjet ndodhi të jetë në kushte jo të zakonshme, në kushte të rralla, të tilla që universi ynë njeh çdo njëqind vite, në kushte pandemie. Kjo nuk na e zbeh jubileun e as festimin por megjithatë na detyron që të respektojmë rregullat strikte të institucioneve shëndetësore me qëllim të ruajtjes së asaj që është primare, shëndetit të individit, thuhet në një kumtesë të LD në MZ.

Të dashur bashkëkombas, anëtarë e përkrahës të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi,

Përmes kësaj kumtese dëshirojmë të ju njoftojmë që ky jubile do të festohet në kushte shumë të kufizuara me një numër shumë të vogël të pjesëmarrësish, me anëtarë të kryesisë së LDnë MZ-së dhe anëtarët e kryesive dhe të degëve si dhe me shumë pak të ftuar për shkak të pandemisë së korona virusit. Njëherit përmes kësaj kumtese kërkojmë edhe mirëkuptimin tuaj por edhe ju premtojmë që të njëjtin organizim do e përsërisim, në përvjetorët e ardhëshme, sapo kushtet dhe gjendja e pandemisë të na e mundësojë, përfundon kumtesa.