Mbi dilemat e Ulqinit: Një autoktoni në shitje për iluzionin e zhvillimit ekonomik

Sot shqiptarët në Mal të Zi gjenden përballë një padrejtësie epistemike dhe shkeljes më të paprecedentë të së drejtës së tokës së popujve autoktonë, së drejtës së pjesëmarrjes efektive në çështjet që i prekin ata dhe të drejtave fundamentale dhe të panegociueshme civile dhe politike të njeriut

Rina Muhaj

“Kur misionarët mbërritën në Afrikë, afrikanët e kishin tokën kurse misionarët Biblën. Ata na mësuan se si të luteshim me sy mbyllur. Kur hapëm sytë, ata e kishin tokën, kurse ne Biblën”. – Jomo Kenyatta.
Si një ndër aktivistët më të njohur antikolonialistë, Jomo Kenyatta, ish-president i Kenias, besonte se sundimet koloniale duhet të merrnin fund. Ndonëse një figurë shpesh e kritikuar për kundërthëniet politike ndërmjet aktivitetit të tij antikolonialist dhe regjimit autoritar që më pas ndërtoi, sipas tij, lufta ndaj pabarazive sociale, panafrikanizmi autokton, pavarësia ekonomike dhe shpërndarja e barabartë e të mirave, duhej të përbënin thelbin e ideologjisë politike të kontinentit. Dekolonizimi u bë i pandalshëm në Afrikë – më 1963 Kenia u pavarësua dhe Kenyatta u bë presidenti i saj i parë. Trashëgimia kolonialiste në Afrikë megjithatë vazhdoi. Në periudhën postkoloniale, dilemat ndërmjet fundit të kolonizimit dhe vazhdimit të pranisë së kolonialitetit u bënë epiqendra e studimeve të kritikëve të këtij procesi. Sipas tyre, bartës të asaj që në filozofinë politike afrikane quhet neokolonizim, nuk ishin më zyrtarisht shtetet koloniale. Tashmë, ata ishin investitorë të huaj të korporatave shumëkombëshe.
Misionarët e rinj erdhën sërish në Afrikë. Kësaj radhe nuk po vinin me “misionin civilizues” për popujt e prapambetur indigjenë. Tani, misioni i ri valëvitej me flamujt e zhvillimit ekonomik. Ajo që mbeti e njëjta ishte mjeti këmbyes: toka e popujve indigjen. Sot në Afrikë llogaritet të ketë dhjetëra milionë hektarë tokë të dhënë me koncesion investitorëve të huaj. Në krye të këtij ekspansioni të investimeve qëndrojnë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kompleksiteti i ndikimit që kanë investimet e huaja në Kenia dhe Afrikë nuk ka një përgjigje të mbarëpranuar. Projektet industriale dhe komerciale të shkallës së gjerë në bujqësi, industrinë e minierave, prodhimtarinë e biokarburanteve, turizëm apo infrastrukturë mund edhe të sjellin zhvillim ekonomik. Ato megjithatë në të shumtën e rasteve nuk kanë qenë të mirëpritura nga popujt indigjenë, për shkak të shpronësimit dhe eksploatimit, dhe sidomos për shkakun se interesi ekonomik nuk mund të sakrifikojë të drejtën e tyre të njohur ndërkombëtarisht mbi tokën. Ajo nënkupton një shkallë të caktuar autoriteti mbi të. Është e drejta e zotërimit, përdorimit, zhvillimit dhe kontrollimit të tokës dhe resurseve të saj; e drejta e përcaktimit të prioriteteve dhe strategjive për zhvillim; dhe posaçërisht e drejta e informimit paraprak, konsultimit, marrjes së pëlqimit dhe dakordimit me indigjenët para ndërmarrjes së çdo veprimtarie në të.
Malin e Zi dhe Kenian mund t’i ndanjë mijëra kilometra distancë gjeografike dhe realitete krejtësisht të ndryshme historike, politike dhe kulturore. Përpjekja për të ndërtuar lidhje analogjike ndërmjet tyre ngre një sërë implikimesh. Në parim, kolonizimi si dukuri historike në konceptimin klasik të tij mund të mos ketë qenë kurrë i njëtrajtshëm ndër ne me atë që njohim në Jugun Global. Por ajo që sot dëshmojmë është një konfirmim i premisës se popujt autoktonë megjithatë ndajnë një fat të përbashkët. Nga populli Sami në shtetet Nordike e deri te Maori në Zelandën e Re, betejat e përditshme të autoktonëve sillen rreth të njëjtit strumbullar: e drejta fundamentale e tokës dhe dekolonizimi i besimit se ekzistojnë popuj inferiorë të cilët nuk janë të aftë të vetëzhvillohen ekonomikisht, politikisht apo kulturalisht, dhe se për këtë kanë nevojë për “të huaj” që do të vlerësojnë potencialin e burimeve të tyre të pashfrytëzuara duke i kapitalizuar ato.
Sot, popujt indigjenë përbëjnë rreth 6% të popullsisë globale, posedojnë çerekun e sipërfaqes tokësore, e cila jo rastësisht përmban 80% të biodiversitetit të mbetur në tokë. Prandaj, shpesh quhen “gardianët” e saj. E gjithë kjo buron nga fakti që toka është elementi më jetik dhe i pandashëm i qenësisë së tyre. Duke qenë të parët, popuj rrënjësorë, autoktonët kultivojnë një lidhje shpirtërore të pazakontë me tokën, e cila nuk është e njëjtë si ajo që kanë individët tjerë. Studiuesit e popujve autoktonë vërejnë që përderisa për të tjerët e drejta e tokës është thjesht e drejtë e pronës, për indigjenët është diçka më shumë se aq, meqë në besimin e tyre ata nuk e zotërojnë tokën, por toka i zotëron ata. Rrjedhimisht, toka nuk është as territor, as burim ekonomik, e as mjet prodhues – është identitet dhe përkatësi, mbijetesa mijëvjeçare dhe trashëgimia e lashtë, e kaluara e të parëve dhe e ardhmja e pasardhësve, është e gjithë mënyra e jetës së tyre tradicionale, shpirtërore, kulturore, sociale dhe ekonomike. Është edhe sovraniteti i tyre historikisht i cunguar. Lufta e tyre për të drejtën e tokës është luftë jete a vdekjeje, meqë autoktonëve po u more tokën u ke marrë të gjitha.
Përballë një sfide të tillë sot gjenden edhe shqiptarët në Mal të Zi. Marrëveshja ndërmjet qeverisë së Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe me idenë e projektit të shkallës së gjerë në Ulqin, nëpërmjet së cilës jepet me koncesion një hapësirë prej 20 milion m² për plot 99 vite krijon një ambivalencë qëndrimesh. Të gjithë në fakt janë të qartë në mendimet e tyre. Mbështetësit flasin me gjuhën e ekonomisë së përshpejtuar dhe komercializmit, kurse retorika e kritikëve do të mund të përmblidhej në katër togfjalësha: mungesë e transparencës, shkelje e legjislacionit të prokurimit publik, shpërfillje e komunitetit lokal dhe investim ekologjikisht i paqëndrueshëm.
Por, a i kemi thënë të gjitha dhe a i kemi thënë si do të duhej? A e kemi amplifikuar zërin tonë rreth elementit më substancial të gjithë kësaj narrative?
Në një vend tjetër të botës, me një dije dhe vetëdije më të lartë mbi autoktoninë, në një hapësirë më aktive, më funksionale dhe më të hapur qytetare, apo në një mekanizëm të sistemit të OKB-së, në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, në Forumin e Përhershëm për Çështjet e Popujve Indigjenë, ose në Forumin e OKB-së për Biznesin dhe të Drejtat e Njeriut, një projekt i tillë nuk do të quhej investim, por land grabbing – grabitje, zaptim apo gllabërim i tokës, sepse përmbush secilin kusht të definuar nga Koalicioni Ndërkombëtar për Tokën për t’u quajtur i tillë. Shkelja e legjislacionit procedurial të prokurimit publik nuk do të vinte në rend para shkeljes së të drejtave të njeriut, meqë kjo e fundit është i pari parim universal, është baza themelore mbi të cilën duhet të qëndrojmë dhe jo argument periferik që e (keq)përdorim si të na levërdisë. Ndërkaq, komuniteti lokal nuk do të toleronte asnjëherë që të thirret si i tillë. Do të këmbëngulte në përdorimin e terminologjisë popull autokton ose pakicë, pasi e drejta ndërkombëtare publike nuk njeh komunitete lokale si subjekte të saj, ndërkohë që për pakicat dhe për popujt autoktonë ka një sistem të drejtash që i mbron ata.
Sot shqiptarët në Mal të Zi gjenden përballë një padrejtësie epistemike dhe shkeljes më të paprecedentë të së drejtës së tokës së popujve autoktonë, së drejtës së pjesëmarrjes efektive në çështjet që i prekin ata dhe të drejtave fundamentale dhe të panegociueshme civile dhe politike të njeriut. Dhe ndërkohë që të gjithë flasin me gjuhën e tyre, janë të vetmit shqiptarët që flasin me gjuhën e të gjithëve përpos të vetën. Shqiptarët janë edhe mbështetës edhe kritikë, janë në mesin e strukturave qeveritare dhe opozitës politike, janë ambientalistë dhe ekspertë të zhvillimit të qëndrueshëm, janë mbështetës të patundur të transparencës dhe kampionë të luftës kundër korrupsionit. Janë gjithçfarë kërkohet, përpos asaj që pritet – të jenë mbrojtës të të drejtave të autoktonisë së tyre.
Politika shqiptare ka sjellë një disonancë ndërmjet asaj çfarë jemi historikisht dhe çfarë përfaqësojmë politikisht. Ajo mbase nuk pati kurrë guximin e artikulimit dhe avokimit të njëmendtë, por e ka shndërruar qenien shqiptare në Mal të Zi në një mekanizëm konsumues të mirëqenies materiale, duke e bërë pazar parimin, sistemin e vlerave dhe idealeve në emër të llogarive ekonomike. Ka arritur të indoktrinojë me besimin se përfitimi ekonomik është gjithçka na duhet dhe sot po ky përfitim po paraqet kërcënim ekzistencial të një populli autokton.
Rasti i Ulqinit nuk është vetëm çështje e grabitjes së tokës – është moment historik reflektimi, thirrje ndaj një heshtjeje shurdhuese që rëndon drejt një vetëdije kolektive politike për të dëshmuar autoktoninë dhe avokuar në mbrojtjen e duhur ligjore për të. Por shqiptarët duhet të dalin nga mendësia mbytëse e të subordinuarit dhe viktimës, e të parashtrohen si aktorë zgjidhjesh. Në diskursin mbi Ulqinin, shqiptarët duhet të sjellin debatin mbi të drejtat e popujve autoktonë nga margjinat në qendër të vëmendjes dhe të zhvendosin kritikën nga aspekti procedural, ekonomik dhe ekologjik drejt një dialogu më gjithëpërfshirës.
Ndërkohë, misionarët e zhvillimit të përshpejtuar ekonomik janë rrugës për në Mal të Zi. Se a do të vendosin shqiptarët të qëndrojnë symbyllur do të përcaktojë dilemën rreth të ardhmes së Ulqinit, por edhe të vetë ekzistencës së shqiptarëve si popull autokton.