Mbyllen edhe 6 komuna të tjera në Mal të Zi

Komisioni për mbrojtjen e banorëve nga sëmundja e Covid-19, me propozimin e Institutit për shëndetin publik, ka miratuar dje masat e reja me të cilat prej nesër u ndalohet qytetarëve dalja edhe nga territori i 6 komunave.

Nga Ministria e shëndetësisë është kumtuar se, përveç masave të cilat mbeten në fuqi në komunat Budvë dhe Tivat, qytetarëve u ndalohet dalja edhe nga Podgorica, Cetina, Ulqini, Herceg Novi, Nikshiqi dhe Plluzhina. Dalja, siç është sqaruar, mundësohet për kryerjen e obligimeve në punë, në bazë të vërtetimit të lëshuar nga punëdhënësi, pastaj për realizimin e vizitave mjekësore në bazë të dokumentacionit medicinal e të ngjashme. Ndërkaq,  në komunat Tuz, Tivar e Danillovgrad prej nesër lejohet puna e shoqërive afariste dhe e ndërmarrjeve të cilat ushtrojnë veprimtari hoteljerike.

Pra prej nesër do të punojnë Restorantet, kafenetë, kafiteritë, restorantet e hoteleve dhe objektet e tjera të ngjashme hoteljerike. Siç është kumtuar këto masa do të jenë në fuqi deri më 10 mars.