Një vlerësim i lartë shtetëror i është ndarë njërit prej emrave të njohur të gazetarisë, bashkëvendësit tonë Zenun Çelaj.
Përmes një njoftimi publik, Lirak Çelaj ka bërë të ditur se babai i tij është nderuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu, me Medaljen Presidenciale të Meritave.
Ky vlerësim i rëndësishëm vjen si rezultat i kontributit të jashtëzakonshëm të Zenun Çelajt në fushën e gazetarisë, një angazhim që ka zgjatur për më shumë se gjashtë dekada. Një jetë e tërë në shërbim të fjalës së lirë dhe informimit të drejtë, që tashmë merr edhe vulën e meritës institucionale.
Familja Çelaj e ka cilësuar këtë si një nder dhe krenari të madhe, duke theksuar se ky çmim dëshmon se puna, përkushtimi dhe sakrifica e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re.
Po ashtu, në emër të familjes, është shprehur mirënjohje e thellë ndaj Presidentes Vjosa Osmani Sadriu për këtë vlerësim dhe për kujdesin e treguar në njohjen e kontributit të tij shumëvjeçar.
Redaksia e Portalit “Plava e Gucia Sot” përgëzon sinqerisht bashkëvendasin tonë Zenun Çelaj për këtë mirënjohje të merituar, duke i uruar shëndet dhe respekt të përhershëm për veprën e tij të çmuar.