P Ë R K U J T I M: BEKIM (UJKAN) AHMETAJ

5 Shtator 1995 – 16 Tetor 2024

Dy vite pa ty, i dashuri ynë Bekim…

U bënë dy vite që nga dita kur u ndave prej nesh. Dy vite që zemrat tona rrahin me mall të pashuar e me një dhimbje të thellë që fjalët nuk arrijnë ta përshkruajnë.

Ike dhe na mblodhe të gjithëve bashkë, i dashur Bekim, por jo për atë gëzim tëndin që aq shumë e kishim ëndërruar dhe pritur…

Sa shumë do të donim të të shihnim të lumtur, të ndiqnim hapat e tu drejt realizimit të ëndrrave, të gëzoheshim e të krenoheshim me arritjet dhe sukseset e tua, që besonim se ishin vetëm çështje kohe.

Sa shumë do të donim ta dëgjonim sërish të qeshurën tënde, atë të qeshur që mbushte shtëpinë me jetë, dritë e frymëzim.

Por ti ike pa një fjalë lamtumire…

Na le mes kujtimesh që nuk do të plaken kurrë, mes ëndrrash të mbetura përgjysmë dhe një malli që rritet çdo ditë, pa njohur kufi.

Nuk ka forcë që mund ta shuajë këtë dhimbje, as kohë që mund ta zbehë dashurinë tonë për ty.

Për ne, ti nuk je larguar kurrë, BEKIM. Zemrat tona ende nuk arrijnë ta pranojnë mungesën tënde. Ti vazhdon të jetosh në çdo kujtim, në çdo mendim, në çdo rrahje të zemrave tona.

Ne besojmë se shpirti yt i njomë e i pastër rrezaton paqe e dritë në universin tonë të përbashkët, aty ku dashuria nuk njeh ndarje dhe ku lidhjet shpirtërore mbeten të përjetshme.

Të pikëlluar, me mall e dashuri të pashuar:

Babai Ujkani, motra Majlinda dhe familja e gjerë Ahmetaj.

U prehsh në paqe e dritë, i shtrenjti ynë Bekim!