Peja shpallet zonë karantinë, Vitomirica njëra ndër vatrat e infektimit me virusin Covid-19

Me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, Komuna e Pejës, prej dje (më 25 prill), shpallet zonë karantinë, pasi që banorët e kësaj komune dyshohen që kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me personat e infektuar me koronavirus Covid-19.

Në pikën II të ministrisë në fjalë, konfirmohen edhe vendbanimet të cilat janë qendra (vatra) të infektimit, e ndër të cilat janë edhe fshatrat Nabërgjan, Vitomiricë, Lutogllavë, Katund i Ri (Bllagaj), dhe rrugët e caktuara të qytetit.

Me rastin e këtij vendimi është lajmëruar edhe Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të qytetit në faqen e vet të Facebook:

“Të dashur qytetarë të Pejës,

Peja shpallet qytet KARANTINE çka nënkupton se po hyjmë në një fazë edhe më sfiduese dhe më të vështire në raport me Covid-19 duke ndryshuar rezultati i të infektuarve në komunën tonë me dy te infektuar nga 76 testime të bëra sot.

Ju bëjmë thirrje për qetësi dhe për maturi në mënyrë që mjekët, infermieret, policët dhe të gjithë ata që këto ditë të vështira japin shërbime dhe janë në ballë të detyrës së shenjtë.

Nuk është aspak e lehtë kjo luftë përball kësaj pandemie dhe vetëm duke bashkëpunuar të gjithë nga pozita ku ndodhet secili prej nesh që në fund të dalim me sa më pak pasoja dhe sa më shpejtë të kthejmë normalitetin në Pejën tonë që aq shumë e duam.

Zoti i bekoftë të gjithë ata që janë në krye të detyrës këto ditë.

Rrini në Shtëpi, Bëni Kujdes, Pa Panik”, është kjo porosia nga faqja e Drejtorisë së Shëndetësisë, në krye të së cilës është Petrit Loci.

Shaban Hasangjekaj