PËRFITIME TË SHUMËFISHTA NGA ADAPTIMI I OBJEKTIT TË SHTËPISË SË SHËNDETIT NË PLAVË

Qeveria investon në shëndetësi :

Plavë – “Përfitimet nga adaptimi i objektit të Shtëpisë së shëndetit ‘Dr. Branko Zogoviq’ në Plavë, vlera e të cilit kapë shumën prej 230 mijë euro, janë të shumëfishta, për të punësuarit, por edhe për qytetarët e kësaj treve të cilët në ndërtesën e ngrohtë dhe të këndshme do t’i marrin shërbimet e mbrojtjes kualitative shëndetësore”, ka thënë ministri i shëndetësisë në Qeverinë e Malit të Zi, Kenan Hrapoviq, me rastin e vizitës që kohë më parë ia bëri këtij institucioni shëndetësor.

Duke inspektuar Shtëpinë e shëndetit “Dr. Branko Zogoviq” në Plavë, ministri Hrapoviq ka theksuar se faza e dytë e efikasitetit energjetik të projektit në këtë institucion shëndetësor ka përfunduar, në realizimin e të cilit janë investuar 230 mijë euro. Në këtë drejtim, ai është shprehur: “Është bërë ndërrimi komplet i bravarisë, dyerve dhe dritareve të ndërtesës. Është vendosur termoizolimi në tërë hapësirën e objektit, si dhe është hartuar projekti i ndriçimit. Nga e gjithë kjo rrjedh se përfitimet janë të shumëfishta, para së gjithash për qytetarët tanë, të cilët tani i marrin shërbimet në lokalet e godinës së ngrohtë e të këndshme, por edhe të gjithë të punësuarit në të. Lokalet janë të ngrohta dhe të përshtatshme për punë dhe qëndrim të pacientëve”. Ai në vazhdim ka theksuar se adaptimi i objektit të Shtëpisë së shëndetit në Plavë është edhe një dëshmi se Qeveria me mjaft përkushtim punon në projektet e zhvillimit të mbrojtjes shëndetësore, posaçërisht në Veri.

“Në tri vitet paraprake Qeveria për investime, në Shtëpinë e shëndetit në Plavë, nga buxheti ka ndarë 420 mijë euro. Kjo në të vërtetë është nismë e investimit në shëndetësi, por do të vazhdojë edhe në të ardhmen kur edhe me vrull më të madh do të punohet dhe veprohet në këtë drejtim. Ne edhe më herët kemi ardhur këtu në Plavë dhe se kemi dëshmuar se goditje e plotë në aspektin pozitiv ka qenë hapja e repartit të terapisë fizikale në Shtëpinë e shëndetit në Plavë, ngase qytetarët në të i marrin shërbimet e kërkuara kualitative, dhe se nuk janë më të detyruar të shkojnë për ndihmë në Spitalin e përgjithshëm në Beran”, ka theksuar ministri Hrapoviq.

Përveç pajisjes dhe kushteve të mira për punë, ministri ka konsideruar se janë plotësuar të gjitha kërkesat e Shtëpisë së shëndetit, kur është fjala për specializimet e kuadrit mjekësor.

“Së shpejti presim kthimin nga specializimi të një mjeke specialiste të gjinekologjisë, si dhe kemi dhënë pëlqimin për tri specializime: për gjinekologji, oftamologji dhe psikiatri. Në këtë mënyrë rrumbullakojmë të gjitha segmentet relevante, në mënyrë që qytetarët e kësaj treve në periudhën e ardhshme të kenë mbrojtjen shëndetësore kualitative”, ka konfirmuar ministri Hrapoviq.

Drejtori i Shtëpisë së shëndetit “Dr. Branko Zogoviq” në Plavë, dr. Omer Shahmanoviq, ka falënderuar Qeverinë, Ministrinë e shëndetësisë dhe Fondin për sigurimin shëndetësor për të gjitha ato që janë bërë në tri vitet e fundit, në këtë institucion shëndetësor.

“Efikasiteti energjetik është mjaftë i rëndësishëm, sepse gjatë shtatë muajve kemi punuar në lokale të ftohta, ashtu që adaptimi i objektit ka ndikuar dukshëm në përmirësimin e kushteve për punë, respektivisht në ngrohjen e lokaleve si dhe ka përmirësuar dukshëm gjendjen dhe situatën gjithëpërfshirëse. Mund të them se në periudhën e kaluar është arritur mjaftë, por këtë nuk kemi mundur ta arrijmë pa ndihmën dhe përkrahjen e Qeverisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe fondit”, ka theksuar drejtori Shahmanoviq. Ai në vazhdim ka shtuar se pret që ndihma nuk do të mungojë as në të ardhmen.

“Me këtë rast, dëshiroj të them se edhe në periudhën e ardhshme institucionet e lartpërmendura të jenë faktorë ndihmës sikurse kanë qenë deri më tani me investime të rëndësishme për këtë anë, sepse ne këtu kemi projekte të planifikuara për repartin e radiologjisë, për ndërtimin dhe rregullimin e parkut dhe për ndërtimin e objektit për garazhimin e automjeteve. Të gjitha këto janë vërtetë të rëndësishme për përmirësimin e kushteve të punës, jetës dhe veprimtarisë profesionale në territorin e komunës sonë”, ka konfirmuar në fund drejtori Omer Shahmanoviq.

Shaban Hasangjekaj