Pesqind djemë u vranë – shqiptarët ende s’folin!

Nga: Çun Lajçi
Dardani, 04.05.2020

Jo, ju nuk dini!

Kanë ndrrua kohët vitet kanë ndrrua.

Vjetrua janë edhe shekujt, por kujtimet janë përtëri!

Ne jemi plakë, kemi kalua andej, prej kah s’kthehemi, e ju keni ardhë me kohen e re.

Vetëm kangët i keni ndëgjua për neve, por kangët edhe rishkruhen, shtohen e zbukurohen, por t’mangta janë për t’vërtetën!

E ne, me sytë tonë pa i kemi, ato që ju, as n’andrra, s’do t’kishit pasë deshirë me i pa.

– Jo ju gja nuk dini.

E ne s’kemi folë sa duhet, pak nga droja, pak nga mos dia, e t’vërtetat marrë i kemi me vete, n’varr, e varri s’flet!

Ju keni vazhdua me kangën n’dy tela për Previnë, që këndua e kan nji shekull brezat e kangëtarve, e s’kan lanë t’harrohet.

Atyne u qoftë lavdi!

U ka pelqye zani i rapsodit, por ditë s’keni, se ai po i vajton 500 djemë nanash, vra nga xhandarët e Avro Cemit. Djemët’fejuem, që kurrë pa s’i kanë nuset.

Burra t’martuem, që gratë i kanë lanë shtatzana.

Fëmijtë janë rritë, pa e ditë, se kanë pasë baballarë ndonjiherë.

E nanat s’kanë guxua m’ua thanë t’vërtetën e plojës, e tmerit, e gjamës për 500 shpirtna, për të vetmin faj: Ishin shqiptar n’trojet e veta t’Plavë-Gucisë!

– Jo ju s’dini, se viti asht i moçëm, e kanga për ta e hershme.

E kohnat kanë ndrrua.

Ndrrua kemi edhe ne, që jemi zbutë foteleve, e heshtë kemi për babat, vllaznit, kusheritë tanë, t’vramë n’Previ.

E pse?

Se s’deshtën me ndrrua fenë!

Shqiptarë kishin lind, e fenë muslimane, turqit e nji kohe t’shkueme, ua kishin lanë.

Këta të tillë vdiqën, se s’deshtën n’kishën sllave me vu kryq n’ball!

Eh sa t’mjerë jemi ne, që harrojmë për gjakun e derdhun n’Previ, për Avro Cemin, faqeziun që shitë e kishte shpirtin të Krajl Nikolla.

Ore ju s’dini se Avro i kishte mbledhë krejt konoptë që ishin dugajve t’Gucisë e t’Plavës, e lidhë i kishte 500 djemë e burra!

N’Martinaj 70, n’Vuthaj 200 e 230 n’Plavë e n’Guci!

Nahies ia kishte marrë mashkujt ore, nahies!

Si kafshët lidhë i kishte me konop, dy nga dy, dhe shti i kishte n’kishën serbe, m’ua ndrrua fenë, e kur Hasan Bajri iu kishte thanë: Mos bani kryq vsllazën, po çojeni gishtin përpjetë, se na sheh Zoti, ky ishte thartua inatit e

nisë për Previ i kishte!

Vorret i kishte shti me i çelë!

Kishte knua djemtë sokola, m’u dhanë zemër burrave, me trimnua edhe vetën, e shkjaun me çmend.

T’zifsha kangën i kishte thanë vëllau-vëllaut, por atyne syni s’iu kishte trembë, edhe pse po shkojshin drejtë vdekjës!

Ju se dini se djali i Memës, shtalb i ri, ishte tmerua kur i pa 500 gropa tue u çelë, e babës i kishte thanë për kend janë këto varre, e ky s’donte me i kallxua, se do t’vritej bashkë me t’birin, e do t’i mbyllej konaku.

Rafalet e mitralozave kishin folë, e gjaku e kishte ujitë Previnë!

Ju kurrë s’kini pyet për eshtnat e tyne!

S’keni dashtë me ditë për Previnë, e ne kemi heshtë!

Siç ka heshtë Plava e falun e Jakupit!

Siç ka heshtë Gucia e Ali Pashës që s’kthehet ma.

Siç s’do t’flet tash as Çakorri, dhanë peshqesh nga gjenerata ime!

Jo, ju s’keni ditë, e ne s’kemi dashtë me ia prishë rehatinë vetës, aç ma shumë Malit Zi.

Hej sa t’mjerë jeni ju, ju ore që flisni për ndrrime tokash, tanden me dhanë e tanden me marrë!

Pazar bani me Preshevën, e s’flisni për Plavën e Gucinë e Previnë me pesqind rrashta n’dhé!

Eh sa e vjetër çiftelia, e sa e vjetër kanga, e sa i ri kujtimi n’sytë që s’plakën!

S’di, a jam tue pa sot andërr, a tue pa Avro Cemin kah i bërtet Hasan Bajrit, që s’ban kryq, po gishtin e çon drejt qiellit tue iu lutë Zotit!

Pesqind vjet t’kemi sundua more Avro Cemi, i thotë, e n’xhami s’tkemi shti, e fenë s’ta kemi ndrrua.

Ti sot po vjen, e sot po na vret!

E shekulli iku!

E shqiptarët heshtin!

E n”Previ knon qyqëja mbi pesqind rrashta, djemësh që kurrë s’u kthyen të shpia, nanat e nuset me i vajtua!

I preu Cërnojeviqi, Avro Cërni

Cemi i zi

E shqiptarët, sot e asaj dite heshtën! As eshtnat nuk shkuen me ua marrë!

Çfarë ironie!

– Falim njiherë, e pastaj kërkojmë të ndrrojmë troje, tue i dhanë prap tonat. Si sot ky i pari i jonë!

Vaj medet!