“Pobjeda”: Shqipëria, Serbia e Mali i Zi shkelën sanksionet ndaj Rusisë

“Pobjeda”

E përditshmja “Pobjeda” e Podgoricës ka raportuar të premten se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë shkelur sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë. Gazeta ka raportuar se plehra ruse janë transportuar për në Serbi nëpërmjet Malit të Zi, ndërkohë që në të njëjtën rrugë nga Serbia për në Rusi është eksportuar drithë.

Gazeta nuk ka arritur të saktësojë se sa tonë plehra janë transportuar nga Rusia, por ka shtuar se shkelja e sanksioneve ka zgjatur për disa muaj. Sipas këtyre informacioneve, që nga prilli, kur Mali i Zi i vendosi sanksionet, deri më tani rreth 4.500 kamionë kanë ndjekur rrugën e përcaktuar, ndërsa vetëm nga 1 dhjetori e deri para disa ditësh në transit janë regjistruar mbi 100 kamionë.

I gjithë operacioni është projektuar dhe është kryer me dijeninë e autoriteteve të Beogradit, Tiranës dhe Podgoricës, ndërsa zbatues të punëve ishin njerëz shumë të afërt me autoritetet e këtyre tre shteteve, sipas raportimit.

Për muaj të tërë, sasi të mëdha të plehrave kimikë rusë janë transportuar me kamionë nga porti shqiptar i Durrësit, përmes vendkalimit kufitar Hani i Hotit dhe më tej përmes territorit malazez drejt Serbisë, ndërsa nga Serbia nëpër të njëjtën rrugë janë transportuar kontigjente gruri për në Federatën Ruse, kanë pohuar burime të gazetës “Pobjeda” nga sektori i sigurisë dhe Drejtoria e të Hyrave dhe Doganave, transmeton “KDpolitik”.

Në këtë mënyrë edhe Mali i Zi është përfshirë në mënyrë indirekte në shkeljen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Federatës Ruse, në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së 43-të të Dritan Abazoviqit, me të cilin Mali i Zi iu bashkua politikës së sanksioneve të rrepta kundër regjimit të Vladimir Putinit.

Për më shumë se një vit, më saktësisht trembëdhjetë muaj, sasi të mëdha të plehrave kimikë rusë shkuan nga Shqipëria, nëpërmjet Malit të Zi në Serbi, ndërsa në deklaratat doganore në fillim shkruhej qartë vendi i origjinës – Federata Ruse. Deri në fillim të dhjetorit, sipas burimeve të “Pobjedës”, në Serbi janë dërguar rreth tetë mijë kamionë me pleh artificial. Ndërkohë, nga Serbia në rrugë tranzitore nëpër territorin malazez dhe më tej për në Rusi kanë kaluar rreth 6000 kamionë me drithë.

Në fillim të këtij biznesi të madh, sipas shkrimit, malli shoqërohej me faturë nga Rusia, ashtu sikurse drithi që u eksportua në Rusi posedonte të gjithë dokumentacionin e nevojshëm shoqërues.

Sipas informacioneve të “Pobjedës”, pasi Qeveria e Malit të Zi, pas disa anulimeve, më 8 prill miratoi formalisht sanksionet kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj ushtarak kundër Ukrainës, një ekip njerëzish nga Rusia, Shqipëria dhe Serbia – pronarë të kompanive të afërta me autoritetet e të tri shteteve – u përpoq të fshihte gjurmën e vendit të origjinës në këtë biznes tregtie.

Nga anijet në portin e Durrësit në Shqipëri, plehu është ngarkuar nëpër kamionë në thasë të mëdhenj që mbajnë disa qindra kilogramë, në të cilët nuk kishte etiketa për vendin e origjinës së mallit dhe përbërjen e lëndës së parë. Për të fshehur gjurmën se malli vinte nga Rusia, ndërmjetësues zyrtarë në shitje ishte një kompani e madhe nga Shqipëria.

Një bashkëbiseduesi i “Pobjedës” nga Serbia ka thënë se për operacione të tilla është angazhuar një ekip, i mbledhur rreth Andreja Vuçiqit, vëllait të presidentit të Serbisë, i cili në masë të madhe kontrollon edhe qarkullimin e mallrave dhe të parave në atë vend.

Serbia për muaj të tërë ka refuzuar me këmbëngulje të vendosë sanksione ndaj Rusisë, madje edhe nën presionin e drejtpërdrejtë nga Bashkimi Evropian dhe Amerika.

Hulumtimi ka treguar se edhe kamionët e një kompanie malazeze të shpedicionit për disa muaj kanë qenë të angazhuar për transportimin e plehut rus në Serbi, ndërsa kompania serbe e shpedicionit transportonte drithë për në Portin e Durrësit, nga ku transportohej më tej për në Rusi.

Sipas raportimit, të dhënat konfidenciale për “transitin e çuditshëm” nga Porti i Durrësit kanë mbërritur së fundmi edhe tek strukturat perëndimore të inteligjencës. Nuk dihet nëse është ushtruar ndonjë presion i fshehtë mbi autoritetet në Tiranë. Burime të kësaj gazete kanë thënë se gjatë dhjetë ditëve të fundit nuk është vënë re ankorimi i asnjë anijeje nga Rusia në portin e Durrësit me ngarkesë të destinuar për Serbinë.

Autoritetet nuk janë përgjigjur deri tash për raportimin./KDPolitik