Preshevë, 24–25 tetor 2026 – Në Preshevë është organizuar Konferenca Shkencore nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore – Preshevë, e cila ka mbledhur studiues, profesorë, akademikë dhe përfaqësues të fushave të ndryshme shkencore nga mbarë hapësirat shqiptare.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishte edhe studiuesi Refik Hasani, i cili vlerësoi rëndësinë e këtij organizimi shkencor për promovimin, hulumtimin dhe dokumentimin e trashëgimisë historike, kulturore dhe shpirtërore të Krahinës së Preshevës.
Hasani e cilësoi pjesëmarrjen në këtë konferencë si një nder dhe privilegj të veçantë, duke theksuar se takimet me studiues, profesorë dhe akademikë nga trevat shqiptare përbëjnë një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe zgjerimin e bashkëpunimit akademik.
Sipas tij, përtej prezantimeve dhe diskutimeve shkencore, rëndësia e kësaj konference qëndron edhe në krijimin e mundësive që trashëgimia historike, kulturore dhe shpirtërore e Krahinës së Preshevës, përmes hulumtimeve dhe dokumentimit të mirëfilltë, të prezantohet me dinjitet në hapësirën më të gjerë shkencore dhe akademike.
“Është kënaqësi, nder dhe privilegj të jesh në mesin e studiuesve, profesorëve dhe akademikëve nga të gjitha hapësirat shqiptare. Përveç njohjeve të reja, kjo është edhe një përvojë shumë e vlefshme akademike”, u shpreh Hasani.
Ai bëri të ditur se në kuadër të punimeve të konferencës ishte paraparë edhe prezantimi i kumtesës së tij shkencore, të përgatitur posaçërisht për këtë organizim.
Refik Hasani përgëzoi Shoqatën për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore – Preshevë për organizimin e konferencës, duke vlerësuar angazhimin e saj në promovimin e vlerave shkencore, historike dhe kulturore të kësaj treve.
Në fund, ai shprehu mirënjohje për ftesën dhe mikpritjen vëllazërore, duke u uruar suksese organizatorëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në punimet e konferencës.
Konferenca Shkencore, e mbajtur më 24 dhe 25 tetor 2026 në Preshevë, përbën një aktivitet të rëndësishëm për afirmimin e trashëgimisë historike e kulturore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet studiuesve shqiptarë.