Rreth dy të tretat e të infektuarve me koronavirus në Mal të Zi janë shëruar

Rezultatet e fundit të parametrave mbi gjendjen epidemiologjike tregojnë se rreth dy të tretat e të infektuarve me virusin Covid-19 në Mal të Zi janë shëruar. Dëshmi argumentuese janë të dhënat se nga 321 personat e infektuar me koronavirus, prej rastit të parë e deri më tani, 189 sish janë shëruar.

Se gjendja epidemiologjike në Mal të Zi është vërtetë e volitshme, stabile e nën kontroll të plotë, e prezantojnë me shifra e fjalë të dhënat e fundit të Institutit të shëndetit publik, të cilat konfirmojnë se në 151 mostrat e testuara në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare të tij gjatë 24 orëve të fundit, nuk është regjistruar asnjë rast i ri i prekur me virusin Covid-19.

Të dhënat në fjalë, janë rrjedhojë e dy testimeve laboratorike të mostrave të dyshuara në intervalet kohore: 08:30-16:30 në 94 persona dhe 16:30-08:45 në 57 persona. Në këtë drejtim, theksojmë se kjo është dita e dytë (24 orët) me radhë që në testimet laboratorike nuk është identifikuar asnjë rast i ri i prekur me koronavirus.

Andaj, falë rezultateve të sipërshënuara, numri i të prekurve me koronavirus, prej rastit të parë e deri më sot, mbetet i pandryshuar – i ditës paraprake, 321 (179 meshkuj dhe 142 femra) prej të cilëve 58 janë fëmijë dhe të rinj adoleshent (23 të moshës 0-9 vjeçare dhe 35 të moshës 10-19 vjeçare).

Pasqyrëza e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna

Podgoricë-163,

Tuz-37,

Nikshiq-34,

Tivarë-23,

Ulqin-22,

Andrijevicë-7,

Budva-7,

Plavë-7,

Bijello Pole-6,

Herceg Novi-6,

Danillovgrad-3,

Tivat-3 dhe

Guci-3.

Përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues: drejtori i Klinikës interne të Qendrës klinike të Malit të Zi, dr. Sreten Kavariq, dhe ndihmës drejtori i Institutit të shëndetit publik, dr. Senad Begiq, në konferencën e rregullt për gazetarë, në elaborimet e veta, kanë dhënë një vistër të dhënash shumëpërfshirëse analitike e koncize përkitazi me gjendjen dhe situatën epidemiologjike në Mal të Zi të argumentuara me të dhëna të shprehura me shifra dhe fjalë. Në pyetjet e shumta të gazetarëve, po ashtu kanë dhënë përgjigje konkrete e koncize të drejtpërdrejta.

Dr. Begiq, në fillim të punës së konferencës, të pranishmit i ka njoftuar se në testimet e 24 orëve të fundit në laboratorët e Institutit që e menaxhon, nuk është identifikuar asnjë rast i ri i prekur me koronavirus, ashtu që numri i të infektuarve deri më tani ka mbetur ai i ditës paraprake, 321. Ka theksuar të dhënën e lumtur se në dy testimet e parapara të një pas njëshme të fundit të të prekurve me koronavirus, negativ kanë rezultuar 34 persona, të cilët janë shpallur të shëruar dhe janë liruar të shkojnë në shtëpitë e tyre. Me këtë, numri total i të shëruarve ka arritur në 189. Ka bërë me dije se 7 persona kanë vdekur, kurse numri momental i të infektuarve aktiv është 125 dhe nën kontroll janë 1621 qytetarë.

Kolegu i tij, dr. Kavariq, elaborimin e vet ia ka përkushtuar të sëmurëve të prekur me koronavirus në hospitalizuar në Qendrën klinike në Podgoricë, por edhe në spitalet në Tivarë e Nikshiq.

Ka theksuar se për trajtim mjekësor në spitale gjenden 13 të hospitalizuar: 8 në Qendrën klinike në Podgoricë, 3 në Spitalin e Tivarit dhe 2 në atë të Nikshiqit.

Ka konfirmuar se në Klinikën infektive të Qendrës klinike janë të hospitalizuar 5 të sëmurë nga virusi Covid-19 dhe se gjendja e tyre është stabile. Në Klinikën interne nën përkujdesjen intensive gjenden 3 të sëmurë, 2 prej të cilëve jeta u është në rrezik dhe janë të kyçur në respiratorë.

Dr. Kavariq ka bërë me dije se 16 punëtorë të profileve dhe strukturave të ndryshme mjekësore – medicinale, janë të prekur me koronavirus dhe gjenden në vetizolim. Ai po ashtu ka njoftuar se në spitale për trajtim mjekësor nuk ka të hospitalizuar fëmijë dhe të rinj adoleshent.

Në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, sipas të dhënave të institucioneve të tyre relevante, gjendja epidemiologjike ka këta parametra:

Në Shqipëri: 750 të infektuar, 431 të shëruar dhe 30 të vdekur;

Në Kosovë: 780 të infektuar, 201 të shëruar dhe 22 të vdekur;

Në Serbi: 8275 të infektuar, 1209 të shëruar dhe 162 të vdekur;

Në Kroaci: 2039 të infektuar, 1166 të shëruar dhe 59 të vdekur;

Në Bosnje e Hercegovinë: 1585 të infektuar, 682 të shëruar dhe 63 të vdekur;

Në Slloveni: 1408 të infektuar, 223 të shëruar dhe 86 të vdekur dhe

Në Maqedoninë e Veriut: 1399 të infektuar, 553 të shëruar dhe 65 të vdekur.

Shaban Hasangjekaj