Shqetësimet e prindërve në Plavë Guci të brengosur me situatën aktuale në arsim: Sa është i kualifikuar kuadri arsimor i Plavë Gucisë?

Në vazhdimësi në redaksinë tonê “Plava e Gucia Sot” arrijnë shkresa të shumta përmes të  cilave shprehet zhgënjimi e dëshprimi  për nivelin dhe cilësinë e edukimit që u jipet fëmijëve të te gjitha niveleve shkollore në gjuhën shqipe  në tërë rajonin e  Plave Gucisë.

Duke mos dashur t’ju hynë në hak rasteve të ndritshme të mësimdhënësve të denjë dhe profesionistë, prindërit shprehin indinjatën e shqetësimet e tyre duke pasur dyshime në disa kuadro mësimdhënësish  të cilët, sipas tyre,  punojnë me diploma të dyshimta e ç’është më e keqja  ka edhe të tillë që nuk janë të diplomuar fare në lëndët që i ligjërojnë.

Familjarizimi, nepotizmi dhe lidhjet politike e klanore në këtë sektor të rëndësishëm për edukimin e përgatitjen e brezave të rinjë janë të  theksuar në të gjitha nivelet e arsimit duke filluar nga klasa e para e shkollës fillore e deri në përfundim të shkollës së mesme e nga ana tjetër  është edhe  befasuese  heshtja  dhe mosreagimi i kompetentëve ndaj këtyre individëve, të cilët, të veshur me petkun e mësimdhënësit po i hendikepojnë apo thënë popullorçe “po i marrin në qafë”  gjeneratat e reja që iu janë besuar atyre për arsimim e edukim e te cilat janë ardhmëria  jonë dhe perspektiva e vendlindjes tonë për një të ardhme më të ndritur.

Paradoksi më i madh është fakti që kuadrot e kualifikuara dhe me diploma të fituara me mund të madh nëpër  universitete relevante të rajonit e më gjerë bredhin rrugëve pa mundësi të inkuadrohen aty ku e kanë vendin dhe ku mund të kontribuojnë, ndërkaq kuadrot me diploma te dyshimta edukojnë fëmijët tanë.

Këto janë shqetësimet e një numri të konsiderueshëm të prindërëve të zhgnjyer me situatën aktuale në arsim të rajonit Plavë Gucisë,  emrat e të cilëve janë  të njohura

për redaksinë tone.

/Plava e Gucia Sot