Nga Prof.Dr.Naser FERRI
Pas shenjtërimit të Nënës Tereze (por edhe më herët) mediat publike kroate kishin publikuar lajmin sipas të cilit shtatorja e parë në botë e kësaj bije shqiptare ishte ngritur në ishullin Braç të Kroacisë në vitin 2002, ndërsa e vërteta është se ajo ishte ngritur në Novosellë të Gjakovës qysh në vitin 1990 deri sa ajo ishte ende gjallë.
Autor i kësaj vepre të bukur është skulptori akademik Prof. Mr. Agim Rudi nga Prishtina i cili e ka paraqitur Nënën Tereze në madhësi reale rreth të cilës janë disa fëmijë lakuriq, si simbol i kujdesit të saj ndaj fëmijëve bonjak dhe të varfër.Donatorë për punimin dhe për ngritjen e shtatores kanë qenë besimtarët e famullisë së përmendur, ndërsa shtatoren e kanë sjellë me shumë mundime e sakrifica (në kohën kur Kosova e okupuar vlonte nën zullumin e regjimit të Millosheviqit) nga Prishtina ne oborr të kishës në Novosellë të Epërme Matej Tanushi, Lekë Tonë Lekaj dhe Hil Ton Lekaj në shenjë respekti ndaj së ëmës së Nënës Tereze Drane (Roza) Bernaj, familja e cilës kishte jetuar në Novosellë të Epërme por e cila, sipas informatave të banorëve të atjeshëm, kishte jetuar edhe në fshatin e afërte Gramaçel, dhe për nder të mbesës së tyre të respektuar Gonxhe Bojaxhiu.
Sa i përket shtatoreve të tjera të Nënës Terezë ekzistojnë të dhënat kur ato u ngritën edhe në Zagreb (2007), Tuz, Strugë, Tiranë, Montreal, Miçigen, Detroit, Sarajevë(2015), Rio de Zhaneiro, Nju Jork (bashkë me atë në Rio de Zhaneiro të ngritura të fundit gjatë vitit 2016), Shkup (32 m e lartë, në realizim e sipër, parashihet të përfundohet në vitin 2017), në Pejë, Mitrovicë, e në mjaft qytete të tjera anembanë botës.