Foto: Sarajet e Ali Pashë Gucisë – sot të zhdukura, jo nga koha, por nga politika
Ajo që po ndodh me trashëgiminë e Ali Pashë Gucisë në Guci nuk është as rastësi dhe as neglizhencë. Është një proces i qëllimshëm, i organizuar dhe i vazhdueshëm i tjetërsimit, fshirjes dhe uzurpimit të historisë shqiptare, i ndihmuar nga heshtja institucionale dhe nga individë që sot, pasi kanë humbur identitetin e tyre historik, përpiqen të përvetësojnë identitetin e të tjerëve.
Historia e Ali Pashë Gucisë është histori shqiptare. Lidhja e tij me Gucinë është fakt historik, i dokumentuar dhe i trashëguar brez pas brezi. Por pikërisht për këtë arsye, kjo figurë është bërë shënjestër: sepse Ali Pasha përfaqëson rezistencën shqiptare, jo kompromisin; qëndresën, jo nënshtrimin.
Sot, me ironi të rëndë historike, disa individë nga komuniteti që vetëidentifikohet si “boshnjak” tentojnë të rishkruajnë historinë, duke e përvetësuar Ali Pashë Gucinë përmes deformimit të fakteve, manipulimit të toponimeve dhe zhdukjes së dëshmive materiale. Kjo nuk është as kërkim shkencor dhe as debat identitar – kjo është falsifikim i pastër i historisë.
Sarajet e Ali Pashë Gucisë, të vendosura pranë Urës së Sarajit mbi lumin Vruja, u shkatërruan sistematikisht me ardhjen e regjimit jugosllav. Themelet u zhdukën me qëllim që të mos mbetej asnjë provë fizike e pranisë dhe rolit të tij. Kjo politikë u vazhdua edhe gjatë Jugosllavisë komuniste, shpesh me bashkëpunimin e elementëve lokalë, të cilët sot paraqiten si “trashëgimtarë” të një historie që nuk është e tyrja.
Xhamia e Ali Pashë Gucisë në qendër të Gucisë u shkatërrua gjatë djegies së pazarit të vjetër dhe nuk u rindërtua kurrë. Përkundrazi, mbi truallin e saj – madje edhe mbi varreza – u ndërtua Qendra e re Islame e Gucisë. Ky nuk ishte akt fetar, por akt politik i fshirjes së kujtesës shqiptare, i zhveshur nga çdo ndjeshmëri historike dhe kulturore.
Toponimet po zhduken një nga një. “Ura e Sarajit” u riemërtua si “Ura e Vrujes”. “Kërshi i Sarajit” po shndërrohet në “Kërshi i Çekajve”. Këto nuk janë ndryshime emërtimesh – janë tentativa për të fshirë identitetin shqiptar të hapësirës dhe për ta zëvendësuar me një narrativë të re, artificiale.
Sot flitet për ndërtimin e një “kulle përkujtimore” në Krojet e Vuthajve me emrin e Ali Pashë Gucisë, ndërkohë që vendi autentik historik është shkatërruar. Kjo është hipokrizi e pastër: nuk ndërtohet kujtesë duke zhdukur historinë reale.
Le ta themi qartë:
Kush mohon përkatësinë shqiptare të Ali Pashë Gucisë, nuk po bën debat akademik, por po kryen dhunë ndaj së vërtetës historike. Kush tenton ta përvetësojë këtë figurë, e bën këtë jo nga bindja, por nga frika e zbrazëtisë identitare.
Historia nuk është pronë e atyre që e falsifikojnë më fort, por e atyre që e mbrojnë me fakte, kujtesë dhe guxim. Dhe Ali Pashë Gucia është, ishte dhe do të mbetet figurë shqiptare, simbol i rezistencës së Plavë-Gucisë dhe pjesë e pandashme e historisë kombëtare shqiptare.
Është koha që heshtja të marrë fund.
Është koha që institucionet shqiptare, studiuesit dhe komuniteti vendas të reagojnë.
Sepse fshirja e trashëgimisë është faza e fundit e mohimit të një populli.
Esad Gjonbalaj
Plava e Gucia Sot