Abazoviq prezantoi qëllimet e qeverisë së re: “Nuk e kam problem që PDS të marrë poste”

Në konferencën e sotme për media i mandatuari për formimin e Qeverisë së re të  Malit të Zi, Dritan Abazoviq, prezantoi qëllimet kryesore të Qeverisë së ardhshme. Në fillim ai tha se janë plotësuar kushtet për caktimin e seancës së Kuvendit, e cila, sipas tij, “mund të caktohet edhe nesër”, por se është reale të bëhet pas Pashkëve Ortodokse. Ai nuk publikoi emrat e anëtarëve të rinj të qeverisë, por bëri të ditur qëllimet programore të qeverisë, të cilat, siç tha ai, do të bazohen në sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik.

Qeveria do të ketë katër zëvendëskryeministra, të cilët do të jenë edhe ministra të sektorëve përkatës, ndërsa dy ministra do të jenë pa portofol. “Ideja është të zhbllokojmë Malin e Zi, t’i japim vendit stabilitet, pajtim dhe të ndërtojmë një perspektivë evropiane. Ne nuk jemi kundër zgjedhjeve, por jemi kundër zgjedhjeve pa institucione”, tha Abazoviq. Ai bëri të ditur edhe prioritetet e Qeverisë: – Marrëveshja për zgjedhjen e personave që do të mbulojnë  postet e larta në institucionet gjyqësore, marrëveshja për funksionimin e Qeverisë, Kuvendit dhe Prokurorisë. Ligji për prejardhjen e pasurisë, ndryshimet në Ligjin për të Mirat Detare, reformën zgjedhore, reformën e KSHZ-së, si dhe reformën në arsim.

Rishikimin e të gjithë vendimeve të qeverive të mëparshme, marrëveshjeve dhe akteve në lidhje me ekologjinë, reformimin e shërbimeve të sigurisë, si dhe propozimin e Ligjit për regjistrimin e popullisë. Prioritete janë edhe krijimi i një mjedisi të favorshëm për investime, rregullimi i marrëdhënieve kontraktuale me komunitetet fetare në përputhje me Kushtetutën e Malit të Zi, si dhe përgatitja dhe zbatimi i sezonit turistik dhe vazhdimi i reformës në administratën publike.

“Unë jam optimist se mund ta përdorim krizën në Ukrainë në avantazhin tonë dhe të kërkojmë një anëtarësim më të shpejtë në BE,” tha Abazoviq.

Ai shtoi se e ka listën e ministrave për Qeverinë e re por se e ka obligim që edhe një herë të bisedojë me kandidatët. “Topi është në oborrin e Kuvendit, të gjithë emrat dhe ekspozea do të propozohen kur të caktohet seanca, d.m.th. kur dihet data e saktë.”, tha ndër të tjera Abazoviq.