Guci – Alternativa Shqiptare, Dega Guci, ka reaguar publikisht duke i bërë apel urgjent Organizatës Turistike të Gucisë (Turistička organizacija Gusinje) që të korrigjojë, siç thuhet, gabimet në përdorimin e simboleve shqiptare në ueb-faqen zyrtare të organizatës.
Sipas reagimit, këto gabime nuk mund të konsiderohen të rastësishme dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme institucionale, pasi prekin drejtpërdrejt përfaqësimin dhe dinjitetin kombëtar të shqiptarëve në këtë komunë.
Alternativa Shqiptare i ka bërë thirrje edhe subjektit politik Lëvizja për Gucinë, si pjesë e pushtetit lokal, që të ushtrojë presion institucional për korrigjimin e këtyre gabimeve. Në reagim theksohet se, pavarësisht se kjo forcë politike nuk e menaxhon drejtpërdrejt Organizatën Turistike, ajo ka mundësi dhe detyrim politik e kombëtar të veprojë në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë.
Në reagim përmendet gjithashtu edhe një rast i ndodhur gjatë javës që po mbyllet, ku mungesa e reagimit institucional, sipas ASH-së, ka krijuar përshtypjen se shqiptarët nuk trajtohen si të barabartë me komunitetet e tjera në Guci.
“Mosreagimi ndaj këtyre rasteve dërgon mesazh të gabuar dhe të dëmshëm për bashkëjetesën dhe barazinë,” thuhet ndër të tjera në reagim, duke e cilësuar situatën si shqetësuese.
Alternativa Shqiptare – Dega Guci kërkon transparencë, përgjegjësi dhe veprim konkret nga institucionet përkatëse, me qëllim respektimin e barazisë dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve në Guci.
