DËSHMI E MBIJETESËS DHE TRASHËGIMISË KULTURORE

Xhelal Muja, “Ublat- trashëgimi kulturore dhe jetike në Krajë”, Art Club, Ulqin, 2021

Ndonëse me herët për krahinën e Krajës, përkatësisht Krajën e Shkodrës është shkruar në mënyrë fragmentare nga autor të ndryshëm, nga miratimi i pluralizmit ne këtë aspekt janë botuar studime e botime të veçanta me vlera shumëdimensionale.

Cekim me këtë rast botimin e librit Kraja me veçantitë shestanase në rrjedhën e shekujve(Kumtesat e Konferencës shkencore, Ulqin 7-8 tetor 2011), botuar në vitin 2013, me qasje shumëdimensionale si i vetmi i tillë deri më tash. Ndërsa me studime apo botime të veçanta janë paraqitur edhe  Z.Jankaj, I.Doda, H.Koliqi, A.Gjeçbritaj, H.Muja, H.Alaj, N.Draga etj., duke ofruar të dhëna me interes nga profili i tyre krijues.

Autorëve të tillë iu bashkangjitet Xhelal Muja, i cili ditë më parë opinionit i prezantohet me librin  “Ublat – trashëgimi kulturore dhe jetike në Krajë”, duke qenë botim i veçantë i trashëgimisë kulturore në hapësirën etnogjeografike mbarëkombëtare.

I lindur dhe rritur në Krajë, autori nuk ka qenë indiferent  ndaj trashëgimisë kulturore të kësaj krahine etnografike, por është angazhuar me pasion duke mbledhur  të dhëna me interes për ublat, që janë simbol jetik i këtij mjedisi. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse ata janë identiteti i kulturës materiale të shqiptarëve  në Krajë, të cilat kanë nxitur kureshtjen e studiuesve të ndryshëm.

Dukuri e terreneve karstike

Dihet se ublat janë të pranishme në terrenet karstike, si të vetmet objekte për të siguruar ujin për popullsinë vendore. Pikërisht në sajë të ndërtimit të tyre personat përkatës kanë treguar mjeshtri në artin e ndërtimit, duke dëshmuar  se në këtë krahinë etnografike  jeta është e hershme e cila ka pasur vazhdimësi deri në ditët tona. Në lidhje me këtë çështje autori ka hulumtuar në terren duke ofruar të dhëna për 397 ubla, duke dëshmuar se Kraja në këtë aspekt  paraqet mjedis të veçantë në tërë hapësirën etnogjeografike shqiptare.

Libri është i ndarë në dy pjesë: ku në pjesën e parë  ofron të dhëna historike e gjeografike për Krajën dhe vendbanimet e saj, nga Shiroka e deri në Selcë, ndërsa në pjesën e dytë në detaje ofrohen të dhënat për ublat në Krajë sipas vendbanimeve,ku përveç koordinatave të tyre ofrohen edhe fotografitë përkatëse,  duke qenë dëshmi autentike në ketë mjedis.

Ublat, pjesë e identitetit socio-kulturor

Në rrethana të reja  shoqërore ublat kanë humbur rolin e tyre,  por ata janë pjesë e identitetit social e kulturor të popullsisë së Krajës. Ublat duhet trajtuar ne kontekstin të raportëve shoqërore me qasje shumëdimensionale, sepse ata kanë qenë vend i takimeve, ngjarjeve të ndryshme por edhe të njohjeve të te rinjëve. Dhe nuk ka pasur mundësi të jetë ndryshe sepse ata ishin simbol i jetës në këtë krahinë etnografike.

Libri ka si mision për të informuar  lexuesit e pasionuar por në mënyrë të  veçantë  brezat e ardhshëm  të njihen me një pjesë të historisë  dhe mënyrën e të jetuarit  të paraardhësëve të tyre, sepse duke njohur të kaluarën me drejtë vlersohet e tashmja dhe planifikohet e ardhmja.

Iniciativë për në UNESCO

Andaj duke marrë parassh vlerat  e tyre për jetën dhe mbijetesën e popullsisë në Krajë, mendoj se duhet të inicohet nisma qe disa prej tyre të mbrohen nga UNESCO-ja, si monumente të kultures materiale.

Në këtë aspekt mendoj për ublat në Ostros të Madh, Brisk Posht dhe Ljare, andaj për këtë ide duhet përgatitur kërkesa dhe të drejtohet në adresen e duhur  sa ma parë,  sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

Përfundimisht autori në sajë të pasionit dhe  angazhimit në terren ia ka arritur qellimit duke i ofruar opinionit një botim me vlerë  nga trashegimia kulturore dhe antropologjia sociale.

Leksikon i trashëgimisë etnokulturore

Nuk ka dielmë se më këtë botim autori ka kryer një obligim moral në nderim të gjithë atyre qe realizuan këto vepra jetësore për popullsinë e Krajës  duke mbetur monumente të trashëgimisë etnokulturore shqiptare.

Andaj si i tillë ky botim, që lirisht mund të quhet leksikon i trashëgimisë kulturore është i mirë se ardhur  në mënyrë të veçantë   për kranjanët të lindur këtu, por edhe  për ata të cilët janë me origjinë nga Kraja, si dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të njihen me mbijetesën e popullsisë së Krajës nga kohërat me të hershme e deri në ditët tona.

Nail  Draga

(Lexuar më rastin e përurimit në Ostros(Krajë), me 11.5.2022)