Detaje tronditëse kanë dalë nga vdekja tragjike e shqiptaro-amerikanes Donika Gocaj në New York, pasi raporti mjeko-ligjor ka zbuluar shkakun e saktë të humbjes së jetës së saj pas rënies në një pusetë të hapur në Manhattan.
Sipas raportit, 56-vjeçarja me origjinë nga Shkodra humbi jetën si pasojë e thithjes së avullit ekstremisht të nxehtë brenda pusetës, si dhe traumave të forta që pësoi gjatë rënies. Mjekët konstatuan djegie të rënda në rrugët e frymëmarrjes dhe dëmtime në pjesën e gjoksit, të cilat i shkaktuan vdekjen pothuajse të menjëhershme.
Ajo që e bën edhe më të rëndë ngjarjen është fakti se Donika nuk humbi jetën nga djegiet në trup, por nga avulli i nxehtë që dyshohet se i ndaloi zemrën.
Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e 19 majit pranë Fifth Avenue në Manhattan. Donika Gocaj sapo kishte zbritur nga një automjet tip “Mercedes Benz”, kur bëri një hap pas dhe ra në një pusetë të hapur, duke u zhdukur menjëherë nga sipërfaqja.
Dëshmitarët tregojnë se për disa minuta dëgjonin britmat e saj teksa kërkonte ndihmë. Disa qytetarë tentuan ta shpëtonin, por thellësia e pusetës dhe avulli i fortë e bënë të pamundur ndërhyrjen deri në mbërritjen e zjarrfikësve.
Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të emergjencës, Donika Gocaj u nxor nga puseta pa shenja jete dhe më pas u transportua në spital, ku u konfirmua vdekja e saj.
Sipas raportimeve, në vendngjarje nuk kishte asnjë tabelë paralajmëruese apo barriera sigurie rreth pusetës së hapur.
Vdekja e saj ka lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe komuniteti shqiptar në SHBA.