Këshillit Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, mbajti mbledhje të rregullt në Plavë

Nga mbledhja e rregullt e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, të mbajtur në Plavë

U SHPALOSËN DHE TRAJTUAN NJË VISTËR ÇËSHTJESH TË RËNDËSISHME

Plavë – Në mbledhjen e rregullt të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, të mbajtur të shtunën më 28 shtator 2019, në zyrën koordinuese të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Plavë, për komunat Plavë, Guci dhe Rozhajë, fill pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së Alternativës Shqiptare në Mal të Zi, e kryesuar nga kryetari Nikë Gjeloshaj, në të cilën ishin të pranishëm 16 anëtarë dhe personalitete të tjera, në krye me kryetarin z. Faik Nika, u shpalosën dhe u trajtuan një vistër çështjesh të rëndësishme, që kanë të bëjnë me gjendjen, veprimtaritë e punës dhe jetës së popullatës shqiptare në Mal të Zi, me theks të veçantë për ata në komunat e Plavës dhe Gucisë.

Kryesuesi i mbledhjes, kryetari z. Faik Nika, para fillimit të punës së saj, të pranishmit i njoftoi me disa ndryshime që kanë ndodhur brenda këshillit nga mbledhja paraprake, për shkak të ca pozicioneve që ndërkohë kanë ndodhur, ashtu që në vend të anëtarit të deritashëm Mehmet Bardhi, me automatizëm, tani është anëtari i ri Saubi Mehmeti, kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, si dhe një ndalje (braktisja nga anëtarësia), Abedin Axhoviq, për shkak të ndryshimit të pozicionit si kryetar i Komunës së Tuzit, çka do të thotë se tani Këshilli numëron 31 anëtarë, pra një më pak. Në mbledhjen e sotme të parë në këtë vit janë prezent 16 anëtarë të këshillit. Kryetari Faik Nika, shprehi falënderimin dhe kënaqësinë që mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, këtë vit mbahet në Plavë. Ai në vazhdim konfirmoi se përveç tri pikave të rendit të ditës ka paraparë edhe diskutimin për përfaqësimin e shqiptarëve nga Plava dhe Gucia në institucionet vendore. Nga të dhënat që janë mbledhur nga burimet alternative, sepse zyrtarisht kanë ardhur te fakti se ka shumë pak të dhëna. Po ashtu ai vuri në dukje se Këshilli Kombëtar ka njohuri se në fillim të kësaj jave që po e lamë pas, në Podgoricë, bashkë me nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, z. Genci Nimanbegu, dhe përfaqësuesit politik nga treva e Plavës dhe Gucisë, ku është njoftuar opinioni publik se si është situata dramatike e përfaqësimi të shqiptarëve në institucionet publike, duke besuar se më tutje duhet të ndërmerren hapa të tjerë të të gjitha institucioneve relevante në Mal të Zi, përfshirë kryeministrin e presidentin, t’i informojnë organizatat e huaja ndërkombëtare që monitorojnë të drejtat, që në mënyrë sa më adekuate, në vitet apo në kohën që vjen, të përmirësohet gjendja e shqiptarëve, ashtu që paka shumë duhet të diskutohet për pikat e propozuara të punës së mbledhjes sipas rendit të ditës.

Çështje me rëndësi në këtë drejtim ishte formimi i komisionit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, për anëtarë të këshillit programor të gazetës “Koha Javore”, sepse atyre në fund të vitit, pikërisht më 5 dhjetor u skadon mandati, ashtu që me kohë të shpallet konkursi për pesë anëtarë të rinj të këshillit programor, të cilët pastaj do të shpallin konkursin për zgjedhjen e kryeredaktorit të ri të gazetës, në mënyrën që sipas parimeve ligjore konkursi do të zgjasë, respektivisht do të jetë i hapur një muaj nga dita e shpalljes, kurse kushtet për të drejtat konkurrimit të të interesuarve do të mbështeten në dispozitat ligjore për media në Mal të Zi.

Kryetari Nika, në vazhdim dha disa vështrime lidhur me pikën e dytë të rendit të ditës – informatat për situatën aktuale të shqiptarëve në komunat e Plavës dhe Gucisë, me theks të veçantë në përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet publike.

Qasje dhe përkushtim serioz, kryetari i këshillit i dedikoi shpalosjes dhe reflektimit të ca çështjeve dhe preokupimeve vërtetë të rëndësishme, në pikën e tretë të rendit të ditës – të ndryshme, kur refleksion primar ishte organizimi i manifestimit për 28 nëntorin e këtij viti – ditën e flamurit kombëtar, por edhe të çështjes së situatës dhe gjendjes së arsimit shqip në përgjithësi në Mal të Zi.

Pas aprovimit njëzëri të procesverbalit nga mbledhja e kaluar, u formua komisioni tre anëtarësh për shpalljen e konkursit publik për anëtarë të këshillit programor të gazetës “Koha Javore”, në përbërje: Jeta Hasangjekaj, Adriana Hoxha dhe Lindon Gjelaj.

Përkitazi me informatën për situatën aktuale të shqiptarëve në komunat e Plavës dhe Gucisë – përfaqësimin e tyre në institucionet relevante publike me diskutimet e veta analitike, koncize dhe kronologjike, me argumente, fakte, fjalë dhe shifra, kanë elaboruar ca anëtarë të këshillit, ndër të cilët në veçanti përmendim nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, z. Niman Begu, i cili lidhur me këtë çështje në Podgoricë, në fillim të javës së kaluar, në prezencën e përfaqësuesve relevant të komunave në fjalë, ka organizuar konferencën publike për media në të cilën

me argumente dhe fakte ka elaboruar për situatën vërtetë alarmante të përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e tyre publike.

Anëtarët e pranishëm të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, pjesëmarrës në debatimin përkitazi me një mori çështjesh vërtetë të rëndësishme të shqiptarëve në Mal të Zi, e me theks të veçantë për ata të komunave Plavë e Guci, por edhe Rozhajë, secili në mënyrën e vet, kanë shpalosur dhe prezantuar shikimet dhe vizionet e veta gjithëpërfshirëse për shumë tema nga puna dhe jeta e tyre në përgjithësi.

Pas përfundimit të mbledhjes me kohëzgjatje afro 2 orësh, në orët e pasdites, anëtarët e KKSH-së, kanë vizituar Komunën e Gucisë, me ç’rast anëtarët nikoqirë, për kolegët e vet mysafirë, në restorantin e hotelit Rosi kanë shtruar drekë.

Për faqet e gazetës KOHA JAVORE

Shaban Hasangjekaj

Z Faik Nika , kryetar i KKSH-se