Komandantja supreme: FSK-ja e gatshme ta mbrojë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës

Nga Dreni Himbeqa

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në adresimin vjetor para Forcës së Sigurisë së Kosovës, si komandante supreme e kësaj force, ka deklaruar se djemtë e vajzat e FSK-së janë të gatshëm për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës në çdo pëllëmbë të saj.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm që sfidat do të rriten krahas me përpjekjet për ta sfiduar paqen botëror nga regjimet autoritare e hegjemoniste”, ka thënë Osmani gjatë fjalimit të saj përpara ushtarakëve të FSK-së.

Osmani ka bërë të ditur se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së është domosdoshmëri në kohën kur arkitektura e sigurisë në Evropë po sfidohet e atakohet.

“FSK-ja është e gatshme edhe e përgatitur në shërbim të paqes stabilitetit dhe sigurisë globale. Ushtria është shtylla më e fuqishme e shtetit ndaj do ta trajtojmë gjithmonë si të tillë”, ka shtuar ajo.

Buxheti prej 123 milionë i FSK-së, sipas Osmanit, do të jetë në funksion të modernizimit të mëtejmë të FSK-së.

“Në vitin 2023 buxheti për FSK-në është rritur prandaj ne synojmë që t’i rrisim aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-në në mbrojte të vendit tonë”, ka shtuar ajo. /Albanianpost