Kosnett kërkon të respektohet vendimi për pronën e Manastirit të Deçanit

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, u bëri thirrje autoriteteve që të respektojnë institucionet dhe vendimet gjyqësore, duke vënë theksin tek një vendim i i pazbatuar i Gjykatës Kushtetuese rreth pronave të manastirit mesjetar të Deçanit, në Kosovën perëndimore.

Në një shkrim të shpërndarë nga ambasada amerikane, zoti Kosnett thekson mes tjerash se udhëheqësit politikë duhet “t’i respektojnë institucionet gjyqësore dhe vendimet gjyqësore madje edhe nëse nuk e çajnë kokën për ato vendime”.

Ai thekson më tej se shembull i tillë është rasti i pronësisë së Manastirit të Deçanit. “Në vitin 2016, pas shumë vitesh të procedurave gjyqësore, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe mbi disa hektarë tokë. Megjithatë, me mbështetjen e heshtur të zyrtarëve të lartë dhe udhëheqësve të partive – përgjatë disa qeverive të udhëhequra nga parti të ndryshme politike, për gati pesë vjet – zyrtarët kadastralë të nivelit qendror dhe lokal, nuk zbatuan vendimin për regjistrimin e ligjshëm të tokës së kishës”, shkroi ai.