Nimanbegu kërkon takim urgjent me Mandiq: Ulqini duhet të dëgjohet para shqyrtimit të marrëveshjes në Kuvend

Ulqin, 16 prill 2025 – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, për organizimin e një takimi urgjent me delegacionin e Komunës së Ulqinit. Kërkesa vjen një ditë para se të mbahet seanca e tretë e Sesionit të Rregullt pranveror të Kuvendit, e parashikuar për datën 17 prill 2025.

Në letrën drejtuar Mandiqit, Nimanbegu thekson se iniciativa e Kryeministrit për të përfshirë në rend dite propozimin për marrëveshjen ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ka ngjallur shqetësim të madh në Ulqin dhe kërkon që zëri i këtij qyteti të dëgjohet përpara shqyrtimit të mëtejshëm parlamentar.

“Shfrytëzoj rastin t’ju rikujtoj se Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka miratuar dy konkluzione që janë ngushtësisht të lidhura me propozimin që është paraqitur për përfshirje në rendin e ditës,” shkruan Nimanbegu, duke theksuar rëndësinë që këto qëndrime të merren parasysh në kohë.

Për këtë arsye, ai ka propozuar që delegacioni i Komunës së Ulqinit të pritet në ambientet e Kuvendit të Malit të Zi më 17 prill, në orën 10:00, pak para nisjes së seancës plenare.

Kjo lëvizje e Nimanbegut është një përpjekje e qartë për të mbrojtur interesat e Ulqinit dhe për të siguruar një proces të drejtë dhe gjithëpërfshirës në vendimmarrje, sidomos kur bëhet fjalë për projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në territorin dhe zhvillimin lokal.

Nëse kërkesa për takim pranohet, ajo mund të jetë vendimtare për të ndikuar në qëndrimin e Kuvendit lidhur me marrëveshjen, e cila është vënë në qendër të debatit publik ditët e fundit.