Përkujtim: 36 vjet nga vdekja tragjike e Profesor Ali M. Ahmetaj

Më 15 prill bëhë 36 vjet nga vdekja tragjike e Profesor Ali M. Ahmetaj, një prej figurave të shquara të arsimit dhe atdhetarisë shqiptare në Kosovë. Kujtimi për të mbetet i gjallë në familje, në ish-nxënësit e tij dhe në mbarë trojet shqiptare, veçanërisht në Plavë e Guci dhe Vuthaj.

Është shumë e vështirë të mendosh dhe të kujtosh, me lot në faqe, përvjetorin e vdekjes tënde tragjike, të orkestruar nga UDB-ja serbe më 15 prill 1990, o vëlla i nderuar, Profesor Ali M. Ahmetaj.

Ne, familjarët e tu, nxënësit, kolegët pedagogë dhe mbarë inteligjenca shqiptare kosovare, së bashku me nxënësit dhe studentët shqiptarë në Kosovën martire – Dardani, në ato kohë të vështira po përgatiteshim për një mbrojtje gjithëkombëtare nga armiqtë shekullorë serbo-sllavë.

Ju, si shumë atdhetarë të tjerë – studentë, pedagogë dhe punëtorë të profileve të ndryshme – ishit halë në sy për armiqtë shekullorë dhe për tradhtarët e kombit tonë.

Edhe pse, fatkeqësisht, kanë kaluar 36 vite, dhimbja mbetet e madhe dhe e pashuar. Me lot në sy dhe me një zbrazëti të madhe në zemër, ju kujton sot mbarë familja Ahmetaj, familja e Flamurtarit të Vuthaj, vendlindja jonë e dashur. Ju kujton mbarë treva e Plavë dhe Guci, si dhe të gjitha trojet etnike shqiptare.

Asnjëherë nuk do të të harrojnë ish-nxënësit e tu në Kosova, ku ju u shkolluat dhe ku kontribuat si pedagog deri në ditët e fundit të jetës suaj. Ju kujtojnë me respekt ish-nxënësit tuaj, të cilët dikur i quaje me dashuri “sokola” dhe “sokolesha”.

Me mall dhe lot në sy ju kujton gjithmonë vëllau Zeqiri, kunata Feridja, djemtë, rejat, nipat dhe mbesat.

Pusho i qetë, o Ali Muzlia Ahmetaj!

Lavdi jetës dhe veprës sate

Në këtë përvjetor të dhimbshëm, Portali Plava e Gucia Sot përkujton me respekt jetën dhe veprën e Profesorit Ali M. Ahmetaj, duke nderuar kujtimin për kontributin e tij në arsim dhe çështjen kombëtare. Kujtimi për të mbetet i gjallë në zemrat e familjarëve, nxënësve dhe gjithë atyre që e njohën dhe vlerësuan veprën e tij.