Rozhajë: Dita e tretë e bllokadës nga transportuesit, kundërshtojnë trajtimin e padrejtë nga institucionet

Rozhajë, 17 prill 2026 – Transportuesit në komunën e Rozhajës po vazhdojnë bllokadën e transportit rrugor, duke shënuar sot ditën e tretë të protestës së tyre kundër, siç thonë ata, trajtimit të padrejtë nga institucionet shtetërore të Malit të Zi.

Sipas informatave të siguruara nga njëri prej transportuesve pjesëmarrës në protestë, bllokada ka nisur si reagim ndaj kushteve të vështira të punës dhe procedurave që ata i konsiderojnë të padrejta dhe të dëmshme për veprimtarinë e tyre. Ata theksojnë se do të vazhdojnë protestën derisa kërkesat e tyre të merren seriozisht nga institucionet përkatëse.

Protesta e transportuesve nuk është e izoluar vetëm në Rozhajë. Sipas mediave në Mal të Zi, transportuesit prej muajsh kanë paralajmëruar bllokada në disa pika të vendit, duke kërkuar përmirësimin e kushteve të punës, kthimin më të shpejtë të TVSH-së, uljen e barrës së akcizave për karburant dhe lehtësimin e procedurave kufitare që shpesh shkaktojnë pritje të gjata dhe humbje financiare.  

Ata gjithashtu kanë paralajmëruar se protestat mund të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave, pasi, sipas tyre, negociatat e deritanishme me institucionet nuk kanë dhënë rezultate konkrete.  

Ndërkohë, qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik në zonën e Rozhajës janë përballur me vështirësi në qarkullim si pasojë e bllokadës, ndërsa pritet që gjatë ditëve në vijim të dihet nëse do të ketë intensifikim të protestave apo arritje të ndonjë marrëveshjeje me autoritetet.

Portali ynë do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet lidhur me këtë protestë dhe do të informojë lexuesit për çdo ndryshim të situatës.