Prizreni nderon Lidhjen Shqiptare: Pas 148 vitesh, fryma e bashkimit kombëtar mbetet e gjallë!

Në ceremoninë qendrore morën pjesë edhe përfaqësues nga Sanxhaku dhe Ulqini, duke rikujtuar shtrirjen historike dhe shpirtërore të veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Prizren, 10 qershor 2026 – Në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u mbajt dje aktiviteti qendror përkujtimor dhe kulturor me rastin e 148-vjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë kombëtare shqiptare.

Institucionet e Republikës së Kosovës organizuan një sërë aktivitetesh për të shënuar këtë jubile, duke rikujtuar rëndësinë historike të Lidhjes si organizimi i parë politik dhe kombëtar i shqiptarëve për mbrojtjen e trojeve etnike, të drejtave kombëtare dhe identitetit të tyre.

Në ceremoninë qendrore morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, personalitete të jetës akademike, kulturore dhe shoqërore, si dhe delegacione nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Kosovës.

Në fjalën e tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, ndër të tjera, theksoi:

“Më lejoni që në këtë tubim t’i përshëndes edhe ata që kanë ardhur nga Ulqini e Sanxhaku. Kjo sepse e këtillë ishte gjeografia e shtrirjes dhe veprimtarisë së Lidhjes, dhe sepse e tillë ka mbetur edhe shtrirja e shpirtit të kombit shqiptar.”

Vëmendje të veçantë tërhoqi pjesëmarrja e delegacionit nga Sanxhaku Jugor, përkatësisht nga krahina e Bihorit – Petnjica. Delegacioni udhëhiqej nga drejtori i Qendrës Kulturore Ndërkufitare të Sanxhakut me seli në Petnjicë, z. Almir Muratović, i shoqëruar nga akademik prof. dr. Šefket Krcić dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Pjesëmarrja e këtij delegacioni u vlerësua si një dëshmi e vazhdimësisë së lidhjeve historike, kulturore dhe shpirtërore ndërmjet shqiptarëve në Kosovë, Mal të Zi dhe Sanxhak, duke rikujtuar se edhe vetë veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kishte përfshirë hapësira të gjera shqiptare, përfshirë trevat e Sanxhakut.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e themeluar më 10 qershor 1878, shënoi kalimin nga koncepti i autonomisë krahinore drejt konceptit të bashkimit kombëtar shqiptar. Përpjekjet për krijimin e një vilajeti të vetëm shqiptar dhe diskutimet e mëvonshme për organizimin politik të shqiptarëve dëshmojnë evolucionin e lëvizjes drejt kërkesave të qarta shtetformuese.

Megjithëse u përball me kundërshtimin e Perandorisë Osmane, me ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha dhe me sfida të shumta politike, Lidhja arriti të forcojë ndërgjegjen kombëtare shqiptare dhe të krijojë themelet e organizimit modern politik shqiptar. Sami Frashëri e përshkroi këtë frymë si një lëvizje të mbështetur jo në fanatizëm fetar, por në patriotizëm dhe dashuri për atdheun.

Prandaj, rëndësia historike e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk qëndron vetëm në rezistencën ndaj copëtimit të trojeve shqiptare, por edhe në faktin se ajo konsolidoi vetëdijen kombëtare dhe hodhi themelet politike e ideologjike mbi të cilat do të ndërtohej më vonë shteti shqiptar.

Edhe pas 148 vitesh, Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet simbol i unitetit kombëtar, i vetëdijes historike dhe i aspiratës së shqiptarëve për liri, dinjitet dhe vetëvendosje.