Të dhënat e djeshme të Institutit të Shëndetit Publik mbi regjistrimin e rastit të parë me koronavirusin Covid-19 në Plavë, pak a shumë i ka shqetësuar qytetarët e kësaj komune, por nuk i ka frikësuar. Ata thonë se janë të matur dhe të kujdesshëm në situatën e paraqitur dhe në plotni i respektojnë dhe përfillin urdhëresat dhe rekomandimet e Trupit nacional koordinues.
Kryetari i Komunës së Plavë, Mirsad Bajraktareviq, përkitazi me rastin e parë të identifikuar me virusin Covid-19 në Plavë, ka deklaruar: “Meqenëse ende nuk i kemi informatat precize për burimin e infektimit, rastin do t’ia lëmë Institutit të Shëndetit Publik dhe spitalit në Beran që me metodat e veta të punës ta vërtetojnë, e nëse konstatohet se Plava është burim i infektimit, ose në Plavë kemi më shumë të infektuar me koronavirus, komuna jonë bashkë me institucionet shtetërore është e gatshme t’i zbatojë, përfillë dhe ndërmerr masat e domosdoshme për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve”.
Shërbimi i Institutit të Shëndetit Publik konfirmon se në 189 mostrat e testuara në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare të Institutit gjatë 24 orëve të fundit, në Mal të Zi janë regjistruar dy raste të reja të prekura me virusin Covid-19. Rastet janë nga Ulqini. Të dy rastet janë kontakte të rasteve të mëparshme.
Në 103 mostrat e testuara dje (të mërkurën), prej orës 08:00 deri në atë 16:30, nuk është regjistruar asnjë rast i ri i prekur me virusin Covid-19, dhe në 86 mostrat e testuara në intervalin kohor 16:30-08:00, janë identifikuar 2 raste të reja me rezultat pozitiv në koronavirus Covid-19. Të dy rastet janë nga Ulqini.
Nga të dhënat e sipërshënuara, rrjedh se numri i të identifikuarve të prekur me koronavirus prej rastit të parë e deri më sot, në Mal të Zi, ka arritur në 290 (160 meshkuj dhe 130 femra), prej të cilëve 46 janë fëmijë dhe të rinj (14 të moshës 0-9 vjeçare dhe 32 të moshës 10-19 vjeçare).
Gjendja numerike në 12 komunat e prekura me virusin Covid-19:
Podgoricë-153,
Tuz-36,
Nikshiq-32,
Tivarë-23,
Ulqin-16,
Andrijevicë-7,
Bijello Pole-6,
Herceg Novi-6,
Budva-4,
Danillovgrad-3,
Tivat-3 dhe
Plavë-1.
Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se 290 rastet e regjistruara me virusin Covid-19 në Mal të Zi deri më tani, janë identifikuar në 3960 mostrat e testuara në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare të Institutit.
Përfaqësuesit e Këshillit nacional koordinues, ndihmësi i drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, dr. Senad Begiq, dhe drejtori i Institutit për sëmundje të fëmijëve, dr. Sasha Radoviq, në konferencën e djeshme për media, kanë dhënë një sërë përgjigjesh koncize e analitike dhe me të dhëna të bollshme me shifra e fjalë në pyetjet e gazetarëve, të cilat kryesisht kanë qenë të përqendruara në burimin e infektimit të rastit të parë të regjistruar me virusin Covid-19 në Plavë, për faktin se personi te i cili është zbuluar infektimi me koronavirus, që 11 dit gjendet i shtrirë (hospitalizuar) në spitalin e Beranit për shërim nga lëndimet e shkaktuara në punë dhe infektimi i të cilit është zbuluar në spitalin në fjalë.
Ndihmësdrejtori i Institutit të Shëndetit Publik, dr. Senad Begiq, në pyetjet e gazetarëve është përgjigjur se për rastin e regjistruar në Plavë, në vazhdë janë punët në hulumtimin e burimit të infektimit. Ndërsa, drejtori i Institutit për sëmundje të fëmijëve, dr. Sasha Radoviq, ka deklaruar se 34 të sëmurë me koronavirus janë të hospitalizuar për trajtim në spitalet gjegjëse në ca qendra të Malit të Zi: nga 7 në spitalet e Nikshiqit dhe Tivarit dhe 4 në atë të Beranit, si dhe 16 në Qendrën klinike të Malit të Zi në Podgoricë (11 në Klinikën infektive dhe 5 në Klinikën intensive, 2 prej të cilëve, për shkak të gjendjes së rënduar në frymëmarrje, janë të kyçur në respirator). Ai në vazhdim gazetarët, por edhe opinionin, i ka njoftuar se nga koronavirusi në qytetet e ndryshme të Malit të Zi janë shëruar 55 persona, kurse me fatalitet (vdekje) kanë përfunduar 4 sish.
Në shtetet e rajonit, gjendja epidemiologjike ende është alarmante. Ka rritje dhe zvogëlim të rasteve të reja të prekura me koronavirus Covid-19.
Të dhënat e fundit dëshmojnë me shifra gjendjen e të prekurve, shëruarve dhe të vdekurve në këto shtete të rajonit:
Në Shqipëri: 518 të infektuar, 277 të shëruar dhe 26 të vdekur;
Në Kosovë: 423 të infektuar, 71 të shëruar dhe 10 të vdekur;
Në Serbi: 4873 të infektuar, 400 të shëruar dhe 99 të vdekur;
Në Kroaci: 1741 të infektuar, 473 të shëruar dhe 33 të vdekur;
Në Bosnje e Hercegovinë: 1110 të infektuar, 253 të shëruar dhe 41 të vdekur;
Në Slloveni: 1268 të infektuar, 174 të shëruar dhe 61 të vdekur dhe
Në Maqedoninë e Veriut: 974 të infektuar, 98 të shëruar dhe 45 të vdekur.
Shaban Hasangjekaj