Ulqini në krizë politike: Luftë për postin e kryetarit

Kryetarit të Ulqinit Loro Nrekiq, sipas ligjit, me datë 30 janar i ka skaduar mandati për arsye të mbushjes së kushteve për pensionim, dhe tani pritet që në procedurën e rregullt të zgjidhet ushtruesi i detyrës, e pastaj edhe kandidati për ta zëvendësuar atë deri në zgjedhjet e rregullta. Lidhur me këtë duhej të mbahej mbledhja e Këshillit për Zgjedhje dhe Emërime, në të cilën do të konstatohej përfundimi i mandatit të kryetarit si dhe propozimi për kandidatin që do ta zëvendësonte.

Por në mbledhje nuk u paraqitën askush nga antarët përveç atij të LQ URA, dhe se për shkak të mungesës së kuorumit, ajo do të thirret përsëri në një datë sa më të shpejtë, tha për TV Teuta kryetari i këtij këshilli, Sabri Salaj.

Situata duket se është më tepër e komplikuar politikusht se sa juridikisht. Sipas informacioneve jozyrtare brenda koalicionit qeverisës, Tv Teuta mëson se nuk ka qëndrime të përbashkëta brenda koalicionit, as për kandidatin si ushtrues detyre, por as edhe për përkrahjen apo jo të zëvendësuesit të Nrekiq. Njëra nga partitë më të mëdha të koalicionit qeverisës, For a e Re Demokratike preferon zgjedhje të reja si rrugëdalje nga situata, kurse përfaqësuesit e partive të tjera të kontaktuar nga TV Teuta, nuk deshën të prononcoheshin, ose nuk u lajmëruan fare. Për zgjedhje të reja janë edhe në Partinë Socialdemokrate, pasi koalicionin aktual e cilësojnë si të dështuar, thotë kryetari i KK të kësaj partie, Naser Resulbegoviq.

Tani situata për momentin ndodhet pezull, Këshilli ka afat 30 ditor nga marrja e njoftimit për të nisur propozimin në kuvend për ushtruesin e detyrës, i cili pastaj duhet të zgjedhë kandidatin e propozuar. Nga ana procedurale çdo gjë është e thjeshtë por ajo politike me siguri do ti komplikojë gjërat. Kjo do të thotë se tema e kryetarit do të vazhdojë të jetë temë kryesore politike në qytet edhe për disa muaj.