Ndahet nga jeta atdhetari i madh i komunitetit shqiptaro-amerikan, Din Derti

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Din Dertit, atdhetarit, intelektualit dhe veprimtarit të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili për dekada të tëra dha një kontribut të çmuar në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare.

Din Derti ishte ndër aktivistët e dalluar të çështjes kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës, veçanërisht gjatë viteve ’80 dhe ’90, në një periudhë vendimtare për fatin e shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare. Puna e tij patriotike dhe intelektuale, përkushtimi i palëkundur dhe veprimtaria e tij shumëvjeçare do të mbeten pjesë e ndritur e historisë së komunitetit shqiptaro-amerikan.

Me angazhimin e tij të vazhdueshëm, Din Derti kontribuoi në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe në sensibilizimin e opinionit e të qarqeve politike amerikane për të drejtat e shqiptarëve, veçanërisht për gjendjen dhe aspiratat e shqiptarëve të Kosovës. Ai ishte organizator dhe pjesëmarrës aktiv në tubime, protesta, takime dhe veprimtari të shumta patriotike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më gjerë.

Din Derti ishte gjithashtu ndër themeluesit e Albanian-American Civic League, së bashku me figura të tjera të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan. Përmes angazhimit të tij, ai u bë pjesë e një brezi veprimtarësh të diasporës që punuan me përkushtim për ta bërë zërin e shqiptarëve të dëgjohej fuqishëm në Shtetet e Bashkuara.

Në fillim të viteve ’90, Din Derti ishte gjithashtu kryetari i parë i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për New York, New Jersey dhe Connecticut (NY, NJ dhe CT). 

Për kontributin e tij të gjatë atdhetar, në vitin 2023, me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Din Derti u nderua nga Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut, si një ndër aktivistët e hershëm dhe kontribuuesit e çmuar të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Me ndarjen e tij nga jeta, komuniteti shqiptaro-amerikan humbi një atdhetar të përkushtuar, ndërsa familja një njeri të dashur e të respektuar. Ai la pas një trashëgimi të çmuar patriotike, e cila meriton respekt, mirënjohje dhe vlerësim dhe që do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm të shqiptarëve në mërgatën e Amerikës.

Portali “Plava e Gucia Sot” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Derti, të afërmve, miqve dhe mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan për këtë humbje të madhe.

Në këto çaste dhimbjeje, bashkëndjejmë me familjen dhe të gjithë ata që e njohën, bashkëpunuan dhe ndanë me Din Dertin idealin e përbashkët të atdhedashurisë dhe çështjes kombëtare.

I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra atdhetare e Din Dertit!

Ngushëllime familjes, miqve dhe mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan!

Din Derti gjate viteve te 90-ta ne LDK, NY