Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ambasadori, Shef i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, Blerim Reka, ka ndarë momente nga eventi i organizuar me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në shoqatën panshqiptare Vatra në Nju Jork.
Në mesazhin e tij, Ambasadori Reka thekson rrugëtimin historik të popullit të Kosovës:
“Pas një shekull kolonializëm, aparteid dhe gjenocid të Serbisë kundër shqiptarëve, sot Republika e Kosovës, shteti më i ri evropian, është vendi më pro-amerikan dhe më demokratik në Ballkan.”
Ai vlerësoi se në ditëlindjen e saj të 18-të, Kosova mbetet një model suksesi i shtet-ndërtimit demokratik, duke dëshmuar përkushtimin ndaj vlerave euroatlantike dhe partneritetit të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fund të mesazhit të tij, Ambasadori Reka shprehu nderim për figurat historike të luftës çlirimtare:
“Lavdi komandantit legjendar Adem Jasharit dhe luftëtarëve të UÇK-së, falënderim i përjetshëm SHBA!”
18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës u shënua me aktivitete të shumta në diasporë, ndërsa komuniteti shqiptar në Nju Jork rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur për shtetin e Kosovës dhe forcimin e lidhjeve me aleatët strategjikë.